Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet, duket se nuk shqetëson aspak dy motrat Berisha. Edhe pse janë të dyshuara për dhunën makabre të ushtruar ndaj Klea Prengës, Antonela dhe Mariela vijojnë jetën e tyre pa iu “dredhur” qerpiku. Policia e Shtetit i ka shpallur në kërkim, ndërsa të dyja kanë bërë postime në faqen e Instagramit të biznesit të tyre.
Edhe pse ngjarja është mjaft e rëndë, pasi 24-vjeçares iu shkaktuan dëmtime të përhershme në fytyrë pasi u godit me gotë qelqi nga vajzat, ato vazhdojnë të bëjnë karshillëk policisë së shtetit.
Prokuroria e Tiranës ka firmosur një mandat arresti për to, megjithatë ende nuk ka asnjë zhvillim nga ana e uniformave blu për ndalimin e tyre. Edhe pse nuk ka asgjë të konfirmuar apo zyrtare, pretendohet se Mariela Berishaj e akuzonte të dëmtuarën për lidhje paralele intime me bashkëshortin e saj.