
Ditën e sotme është zhvilluar seanca gjyqësore me dyer të mbyllura për 52 vjeçarin Jakup Shahu, i cili qëlloi disa herë me thikë gruan e tij, Edlira Shahu në Tiranë, pak ditë më parë.
Gjatë seancës, i arrestuari Shahu tha se është i penduar dhe se veprimin kriminal e ka bërë në gjaknxehtësi e sipër gjatë debatit që ka pasur me bashkëshorten e tij, ndërsa shpërtheu në lot.
“Nuk doja ta qëlloja shpirtin tim, nuk di si veprova por u nxeha. E qëllova në debat e sipër”,- tha Jakup Shahu, i cili shpërtheu në lot në sallën e gjykatës.
Prokurori i çështjes deklaroi gjatë kësaj seance, se gruaja vijon të jetë gjendje të rëndë në spital, për shkak të tre plagëve të marra, ku njëra prej tyre e ka prekur në qafë.
Megjithatë, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të pandehurin Jakup Shahu, nën akuzën për tentativë vrasje ndaj gruas së tij.
Kujtojmë se disa ditë më parë Jakup Shahu qëlloi disa herë me thikë gruan e tij, Edlira Shahu në banesën e tyre në Tiranë. Si pasojë e sulmit, gruaja Edlira ka marrë disa plagë në trup dhe njëri prej tyre ka qenë në qafë. Sipas prokurorit të çështjes, Edlira ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
Gjithashtu, i pandehuri Jakup Shahu rezulton i dënuar më parë për vrasjen e Arjan Mejdanit, i cili ishte burri i së dashurës së tij. Ngjarja e rëndë, e cila raportohet të ketë ndodhur në shtator të vitit 2011, ku 52 vjeçari Shahu u dënua më pas me 13 vite burg nga Gjykata e Tiranës.