
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënim të përjetshëm për Fran Marashin, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me burgim për jetë për masakrën e Urës Vajgurore ku u vranë 5 punonjës të policisë.
Gjykata e Lartë kishtë rikthyer për gjykim dosjen e Fran Marashit 28 vite pas masakrës. Pas arrestimit dhe ekstradimit, Marashi ka pretenduar se nuk i janë rrespektuar të drejtat themelore dhe liritë për një proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit në mungesë. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për gjyqin që u zhvillua në vitet 1999-2000 në ngarkim të tij.
“Mua nuk më ka njoftuar askush, as prokuroria as gjykata,” është shprehur Fran Marashi. Ai ka kërkuar rikthimin e çështjes për gjykim bazuar në standartet e drejtësisë.
Masakra e Urës Vajgurore ka ndodhur në vitin 1997 ku humbën jetën 5 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Ai akuzohet për për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: pjesëmarrje në banda të armatosura, vrasje me dashje të punonjësit të policisë (pesë raste), vrasje me dashje të punonjësit të policisë mbetur në tentativë (dy raste), vrasje me dashje dhe heqje e paligjshme e lirisë.