
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara kurorëzuan ditën e sotme dashurinë e tyre në tarracën e Bashkisë së Tiranës, përmes një ceremonie të vogël. Ndonëse, martesa e tyre nuk njihet ligjërisht në Shqipëri, ato lidhën kurorë në mënyrë simbolike në prani të dy pastorëve britanikë, të cilët po ashtu ishin pjesë e komunitetit të LGBTQI+.
Dasma e tyre u shoqërua me shumë komente dhe reagime të institucioneve fetare kryesore në vend, të cilët e dënuan veprimin e tyre.
Për dy aktivistet e komunitetit të LGBTQI+, kjo martesë është fillimi i betejës për të ligjëruar martesat e së njëjtës gjini në vendin tonë.
Në një intervistë për Top Chanel, Alba Ahmetaj, njëra nga vajzat protagoniste në ngjarjen e sotme shprehet se martesa e tyre nuk kishte për qëllim që të bënte zhurmë, por të përcillte mesazhin se të jesh LGBT dhe besimtar është mëse legjitime.
Sipas Ahmetaj, martesa e saj nuk ishte komfort ligjit shqiptar, por në linjë me fjalën e zotit, ndërsa shton se dasmat pa celebrim janë tipike në Shqipëri, duke treguar se për të nuk ka rëndësi ligjshmëria e kësaj martese.
“U bë me zhurmë por nuk ishte ky qëllimi. Qëllimi ishte t’i tregonim të gjithëve, që të jesh LGBT dhe besimtar, është mëse legjitime. Nuk ishte me ligjet shqiptare, por me fjalën e zotit. Dashuria është fjala e zotit. Dasmat edhe pa celebrim janë tipike në Shqipëri”-u shpreh Alba Ahmetaj komuniteti LGBT.
Kujtojmë se kjo ceremoni ka ngjallur reagime të shumta, pasi ligji shqiptar nuk i njeh këto martesa. Dasma e Albës dhe Edës u kurorëzua në prani të dy pastorëve të huaj , të cilët mbanin veshje të ngjashme me priftërinjtë besimit katolik .
Komuniteti fetar ortodoks dhe katolik në Shqipëri reagoi në mënyrë të menjëhershëme se distancohen nga ngjarja dhe se janë kundër martesave në çift të së njëjtës gjini.
Më shumë se një ceremoni martesore, kjo duket si një nismë për të ligjëruar martesën midis gjinive të njëjta, duke protestuar kundër institucioneve që nuk e lejojnë këtë akt.
“Ky është vetëm fillimi i betejës, por do dalim fitimtar, jam e sigurt“- shprehet Alba Ahmetaj.
“Hapi i parë ishte prezantimi i kërkesës në gjendjen civile, hapi i dytë dhe unë me partneren time do kërkojmë të njëjtën gjë. Pasi të marrim përgjigjen negative do të shkojmë në gjykatë për ta çuar më pas çështjen në gjykatën e Strasburgut për të ndjekur shembullin e Greqisë, Italisë dhe shumë shteteve të tjera”-u shpreh Xheni Karaj, aktiviste komuniteti LGBT.