Hapësire reklamuese

Aktualitet

Martesa e dy vajzave në tarracën e Bashkisë Tiranë, pastori: Po synohet të tjetërsohet familja

Shkruar nga Newsbomb
Martesa e dy vajzave në tarracën e Bashkisë Tiranë, pastori:
Martesa ne tarracen e bashkise - Akil Pano

Pastori Akil Pano është shprehur se me martesën e dy vajzave të komunitetit LGBTQIA+ në tarracën e Bashkisë së Tiranës pak ditë më parë, synohet të tjetërsohet familja. Madje, sipas tij në këtë rast ka pasur një agresivitet të lartë për të imponuar atë që është kundër traditës.

“Familja tashmë nuk është duke notuar në një oqean të qetë dhe ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Por këto dinamika nuk e bëjnë thjesht një oqean të trazuar, por një oqean që synon të tjetërsojë ata që janë duke udhëtuar në këtë oqean. Pra, e kam fjalën për të gjitha kuptimet tradicionale të familjes.

Dhe kur flasim për ceremoninë e martesës, sipas Kodit është një martesë civile midis një burri dhe një gruaje, sepse spekulantët e kanë si qëllim në vetvete që ta fusim këtë çështje në një pyll ku të humbet rruga.

E gjithë historia ka të bëjë me një situatë të ndjeshme, ku çdo individ të mos diskriminohet dhe të jetë i lirë, dhe këta individë me orientim të ndryshëm seksual i kanë këto të drejta. Në vitin 2010-të qeveria e asaj kohe miratoi ligjin kundër diskriminimit, të cilin e kam duartrokitur. Por shikoj që agresiviteti për të imponuar atë që është kundër traditës sa vjen dhe po rritet”, u shpreh pastori Akil Pano.

Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara kurorëzuan ditë më parë dashurinë e tyre në tarracën e Bashkisë së Tiranës, përmes një ceremonie të vogël. Ndonëse, martesa e tyre nuk njihet ligjërisht në Shqipëri, ato lidhën kurorë në mënyrë simbolike në prani të dy pastorëve britanikë, të cilët po ashtu ishin pjesë e komunitetit të LGBTQIA+.

Dasma e tyre u shoqërua me shumë komente dhe reagime të institucioneve fetare kryesore në vend, të cilët e dënuan veprimin e tyre. Megjithatë, për dy aktivistet e komunitetit të LGBTQI+, kjo martesë është fillimi i betejës për të ligjëruar martesat e së njëjtës gjini në vendin tonë.

Komuniteti fetar ortodoks dhe katolik në Shqipëri reagoi në mënyrë të menjëhershme duke u distancuar nga ngjarja, se ata janë kundër martesave të së njëjtës gjini. Më shumë se një ceremoni martesore, kjo duket si një nismë për të ligjëruar martesën midis gjinive të njëjta, duke protestuar kundër institucioneve që nuk e lejojnë këtë akt.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese