Hapësire reklamuese

Aktualitet

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në Gjadër të Lezhës nis ndërtimi i kampit

Shkruar nga Newsbomb
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në Gjadër
Pamje nga vendi i punimeve

Në Gjadër të Lezhës, aty ku dhe do të qëndrojnë emigrantët, kanë nisur punimet për ndërtimin e kampit. Burime për mediat bëjnë me dije se fillimisht do të ngrihet një mur rrethues 7 metra i lartë, me qëllim për të penguar daljen e mundshme të emigrantëve nëse do të ketë tentativa të tilla.

Kjo qendër pritje duhet të jetë gati deri më 20 maj, data kur dhe është përcaktuar që të vijnë emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane.

Fillimisht emigrantët do të priten në një strukturë të posaçme të ngritur në Portin e Shëngjinit dhe më pas ata do të transportohen për në Gjadër, aty ku dhe do të jenë duke pritur aprovimin e kërkesës për azil ose masën e shpërnguljes.

Media italiane ditë më parë i kushtoi një artikull të gjatë detajeve si dhe shpenzimeve për ngirtjen e këtyre qendrave. 

Projekti është që të drejtohen zbarkimet nga Italia në Shqipëri, me të cilën më 6 nëntor 2023 u nënshkrua Protokolli për të ndërtuar në koston italiane dy struktura: një për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit në portin e Shëngjinit, tjetra, në një hapësirë prej 77 mijë metra katrorë në Gjadër, ku emigrantët do të qëndrojnë në "gjendje ruajtje" në modelin Cpr, duke pritur aprovimin e kërkesës për azil ose masën e shpërnguljes. Masat e nevojshme për të siguruar qëndrimin e emigrantëve brenda këtyre zonave janë në përgjegjësi të autoriteteve italiane, duke penguar daljen e tyre edhe gjatë procedurave administrative, edhe pas përfundimit të tyre. Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej 5 vitesh, dhe mund të rinovohet nëse është e nevojshme.

Mes ndërtimit, menaxhimit dhe pajisjet telekomunikative, dy strukturat do të kushtojnë pothuajse 69 milionë euro: "Duke pasur parasysh se rastet e ndërprerjes së energjisë janë të shpeshta, është e nevojshme të pajisen zonat me grupet e gjeneratorëve elektrikë”,  thuhet në raportin teknik që shoqëron Protokollin.

“Duke pasur parasysh se rastet e ndërprerjes së furnizimit me ujë janë të shpeshta, veçanërisht në muajt e verës, është e nevojshme të pajisen zonat me rezervuarë akumulimi, e gjithë zona nuk është e pajisur me kanalizim publik prandaj, për zbrazjen e ujërave të zeza është e nevojshme të ndërtohet një rezervuar akumulimi me kapacitet të përshtatshëm për të zbrazur periodikisht me autospurgo, gjithashtu nevojitet lidhje për rrjetin telefonik dhe rrjetin Internet", thuhet ndër të tjera.

25 milionë duhen për strukturën e burgut. Nevojiten 94 milionë për mbikëqyrjen e jashtme në Shqipëri: juridiksioni do të jetë italian, por Edi Rama do të bashkëpunojë me forcën e tij policore për sigurinë jashtë strukturave. Për udhëtimet, dietat, ushqimin dhe akomodimin e personelit të Armatës së Karabinierëve, Policisë së Shtetit dhe Doganës, kostot shtesë janë 260 milionë e 200 mijë euro. Për 5 komisionet territoriale të reja që do të shprehen mbi të drejtën e azilit: 17 milionë e 970 mijë euro. Për 152 rekrutime të reja midis zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtësisë, gjyqtarëve, gjyqtarëve të paqes dhe punonjësve shëndetësorë 42 milionë e 507,739 euro. Për qiranë e sallave në Romë për video-seancat, dritat dhe ngrohjen 2 milionë e 920 mijë euro.

Për të ndërtuar dhe pajisur 20 salla për seancat në Shqipëri dhe për lidhjet telekomunikative nga Italia për mbrojtësit, 8 milionë e 730 mijë euro. Shpenzimet për udhëtime të avokatëve dhe përkthyesve janë 29 milionë e 160 mijë euro. Pas përfundimit të procedurave të verifikimit thotë artikulli 9 i Protokollit, autoritetet italiane marrin, në koston e tyre, largimin e emigrantëve nga territori shqiptar. Pra, i kthejnë ata në Itali, dhe shpenzimi për qiranë e anijes, mjeteve dhe pajisjeve është 104 milionë të tjera. Kostot totale në pesë vjet: 653,5 milionë euro.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese