
Deputeti socialist Pandeli Majko dhe relator për punën e SPAK tha sot në Komisionin e Ligjeve ku po raporton kreu i SPAK, Altin Dumani se Byroja Kombëtare e Hetimit është duke punuar pa rregullore duke shkaktuar një ngërc dhe është një problem për t'u zgjidhur.
Majko vlerësoi 10 rekomandimet që janë dhënë për Prokurorinë e Posaçme duke vlerësuar se nga viti në vit ky institucion ka evoluar në punën e tij si në aspektin sasior dhe atë cilësor.
Majko evidentoi se për rekomandimin 10 që ka të bëjë me reciprocitetin dhe të drejtat e njeriut nuk ka asnjë të dhënë.
Ndërkohë që Byroja Kombëtare e Hetimit ka nevojë për personel.
“BKH është duke punuar pa një rregullore dhe ka një numër të madh vakancash” raportoi Majko në komision përpara Dumanit.
Majko kërkoi duke lexuar edhe shqetësimin e shoqërisë civile, Komitetin Shqiptar të Helsinkit se SPAK duhet të merret edhe me ata gjyqtarë dhe prokurorë që preken nga vetingu.
Majko tha se duhet të shtohet edhe puna për hetimin e krimeve zgjedhore meqënëse 2025 do të jetë një vit zgjedhor.