Në qytetin e Lushnjes tre të rinj janë arrestuar, ndërsa një tjetër po procedohet penalisht.
Bëhet me dije se të rinjtë janë kapur me lëndë narkotike, kokainë dhe kanabis, lëndë eksplozive dhe armë e ftohtë. Rezulton se lëndën narkotike e shisnin nëpër shkolla.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Penaliteti”.
Sekuestrohen sasi Kokaine dhe Cannabisi, lëndë eksplozive dhe armë e ftohtë.
Në pranga 3 shtetas dhe në hetim 1 tjetër, të cilët posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen, si dhe sendet e tjera të kundërligjshme.
Komisariati i Policisë Lushnjë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës së inteligjencës policore, me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin e rrethit, finalizoi në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve e DVP Fier, operacionin “Penaliteti”.
Gjatë operacionit: u arrestua shtetasi 32 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në automjetin që drejtonte, u gjetën një sasi Cannabisi dhe kallëp lënde e dyshuar eksplozive artizanale; u arrestua shtetasi 21 vjeç, banues në Lushnjë, pasi iu gjetën doza Cannabisi dhe përforcues grushti; u arrestua shtetasi 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në automjetin që drejtonte, u gjet një sasi Kokaine; u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 17 vjeç, banues në Lushnjë, pasi iu gjetën dhjetëra doza Cannabisi, të cilat nga hetimet e deritanishme rezulton se do t’i shiste në afërsi të shkollave të qytetit të Lushnjës.
Provat materiale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.