
Ashtu edhe si ishte paralajmëruar, Kuvendi ka nisur me përplasje. Deputetët e opozitës kanë bojkotuar seancën plenare, por janë mbledhur jashtë seancës plenare ku po protestojnë.
Ata kanë mbledhur karriget jashtë Kuvendit dhe u kanë vënë zjarrin, duke thënë se Edi Rama ka “djegur” Kuvendin dhe se ata po djegin karriget e tyre.
Politikanët demokratë më herët u mblodhën rreth foltores menjëherë sapo kryetarja Elisa Spiropali njoftoi nisjen e punimeve, duke hedhur sende të forta në drejtim të saj.
Fillimisht, deputetët kanë hedhur drejt Spiropalit librat e Kushtetutës që secili prej tyre mban në ulësen e vet, ndërsa në një moment drejt kryeparlamentares janë hedhur shishe qelqi dhe sende te tjera të forta.
“Lufta” e opozitës pasi deputeti i PD, Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babale”. Opozita ka paralajmëruar trazira dhe protesta të dhunshme për ditët në vijim.