Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Lavdia" e Klanit Çopja! Sot iu sekuestruan pasuritë e “çmendura”, dy vëllezërit shpërndanin "pika" në Itali në 2006, u fuqizuan shumë dhe kapën tregjet e kokainës në Europë

Shkruar nga Newsbomb
"Lavdia" e Klanit Çopja! Sot iu sekuestruan pasuritë e
Ilustrim: Hajdar Çopja alias Hajdar Bako (Dari i Elbasanit)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sekuestrimin e pasurive të dy vëllezërve Çopja, Franc dhe Hajdar Çopja.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK bëri me dije këtë të mërkurë se përpos 10 milionë dollarëve kriptovalutave, vëllezërve Çopja i janë sekuestruar llogari bankare, trualle, ndërtesa, garazhe, hotel, apartamente e lokale në cilat rezultonin në pronësi të familjarëve të tyre.

Kujtojmë se në gusht të këtij viti SPAK akuzoi zyrtarisht vëllezërit Çopja se janë në krye të grupit kriminal përgjegjës për trafikun e kokainës në Shqipëri dhe në disa shtetet europiane, si dhe për vrasjen e kundërshtarëve të tyre, kryesisht në Elbasan

Madje, përmes një njoftimi SPAK zbardhi edhe seritë e  vrasjeve të ndodhura më herët në Shqipëri dhe që kishin si “kokë” organizative dy vëllezërit nga Elbasani, Hajdar dhe Franc Çopja.

Gati dy dekada më parë ata ishin shpërndarë të thjeshtë të kokainës në doza të vogla; punonin për të tjerët në qytezat italiane dhe çonin "pikat" atje ku i kërkonin klientët, derisa nisën të krijonin fuqinë e tyre ekonomike.

Veprimtaria kriminale e dy vëllezërve daton rreth viteve 2006 – 2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.

Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi, pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.

Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.

Vrasja e trefishtë, ku u ekzekutua shtetasi Endrit Alibej, më 29.12.2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurrencën për zotërimin e tregut të kokainës.

Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej. Bëhet fjalë për vrasje përtej Elbasanit dhe kufijve të Shqipërisë, kryesisht në Belgjikë.

Paratë e përfituara nga trafiku i kokainës, vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, sipas të dhënave të siguruara më herët nga organi i akuzës, rezulton se i kanë investuar në Shqipëri kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Në gusht të vitit që lamë pas, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar akuzoi zyrtarisht dy vëllezërit Çopja  se janë në krye të një grupi kriminal përgjegjës për trafikun e kokainës në Shqipëri dhe në disa shtete europiane, si dhe për vrasjen e kundërshtarëve të tyre, kryesisht në Elbasan, u bë me dije se nga hetimet e kryera ishin përfituar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

U evidektua fakti se kjo organizatë kriminale kishte shtrirë “tentakulat” në sektorin e ndërtimit, ku nëpërmjet personave të tretë kishin injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.

Gjithashtu, rezultoi se klani Çopja ka investuar në çeljen bizneseve të reja dhe përdorimin e bizneseve ekzistuese me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Madje, SPAK njoftoi se Franc Çopja në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.

Gjatë viteve, vëllezërit Çopja kryen 4 atentate me 6 të vdekur dhe 2 të plagosur si dhe 3 tentativa për eliminim të disa personave, por të dështuara.

Vrasja e parë e tyre u shënua në fundin e vitit 2018, konkretisht mbrëmjen e 29 dhjetorit, ku u vra Endrit Alibej, eksponent ky i njohur në trafikimin e kokainës, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, bashkë me dy shokët të tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay.

Atentati i dytë i vëllëzërve do të zhvillohej 6 muaj më vonë, në datën 1 korrik të vitit 2019 në fshatin Broshkë të Elbasanit, ku ata vranë  shtetasin Klevin Baho, ndërsa u plagos rëndë vëllai i tij, Aldo (Aleksandër) Baho.

Më 13 dhjetor të 2019 në fshatin Përparim në Peqin u vra Andi Zylfi, ndërsa mbeti i plagosur Ardit Uruçi, ngjarje kjo që kishte si porositës sërish dy vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.

Gjithashtu, vëllezërit vranë në shtator të 2020 edhe shtetasin Klevis Kapllani. Ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës.

“Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e organizatës kriminale, si më poshtë:

1) Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese” në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;

2) Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 01.07.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;

3) Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;

4) Fakti penal “vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.09.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë; në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës”,- thuhet në njoftimin e SPAK.

Vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja kishin kryer edhe disa tentativa të tjera vrasje me qëllimin për të eliminuar kundërshtarër e tyre, por ato nuk kishin rezultuar të suksesshme.

Në janar të vitit 2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, vëllezërit kryejnë atentat ndaj shtetasit Kei Piku, por pa arritur që të kenë sukses në eliminimin e tij.

Një tjetër tentativë vrasje zhvillohet sërish nga vëllezërit, 10 muaj më vonë, në nëntor të 2020-ës ndaj shtetasit Irfan Azizi. Ngjarja u shënua në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore në Berat.

Vëllezërit Çopja po ashtu kishin tentuar që të vrisnin edhe një efektiv policie në mars të vitit 2018 në lagjen 28 nëntori në Fier, ndërsa në po të njëjtën ditë ishte tentuar të vidhej shtetasi Minella Muçi.

“5) Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Kei Piku, ngjarje e ndodhur më datë 16.01.2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në Elbasan;

6) Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Irfan Azizi, ngjarje e ndodhur më datë 29.11.2020, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore, Berat.

7) Fakti Penal “Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier”- njoftoi SPAK në gusht të vitit të kaluar. 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese