Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Lamtumira për bletërritësin Çavo Puleri

Shkruar nga Newsbomb
Lamtumira për bletërritësin Çavo Puleri
Çavo Puleri

LAMTUMIRA PËR BLETËRITËSIN ÇAVO PULERI

"Ju bëftë balta mjaltë"! Kjo shprehje dëgjohet shpesh në ceremonitë mortore në Jug.

Mes fshatrave të bukur që rrethojnë qytetin antik të Antigonesë është edhe Tranoshishta. Dashurinë për këtë fshat ma nxiti jo vetëm magjia e Pranverës dhe Vjeshtës mbi të, por në mënyrë të veçantë respekti e dashuria njerëzore që banorët ruajnë në kodin e tyre të mikpritjes. Gjatë kohës që punoja në parkun e Antigonesë mu bë zakon që herë pas here të kthehesha në familjet Qurku dhe Puleri për tu takuar me Polon dhe Çavon, të cilët shpesh i gjeja së bashku në oborrin e Qurkajve. Të dy kanë qënë pjesë e kronikave televizive dhe miq të mirë të gazetarëve. Polua u nda disa vite më parë nga jeta, ndërkohë që mësova se së fundi është ndarë nga njerëzit e tij të dashur dhe prej nesh, Çavo Puleri. E ndjej veten me fat që i njoha dhe ndava me ta orë të tëra bisedash jo vetëm mbi jetën e tyre, por për gjithë banorët e zonës. Por nëse për xha Polon munda ti respektoj zakonet mortore, largësia nuk ma mundësoi këtë për Çavo Pulerin. Është kjo arsyeja që të sjell në shenjë respekti për të, dy rradhë të shkruara me dashuri për këtë prind, gjysh e stërgjysh, porta e shtëpisë të së cilit mbeti gjithmonë e hapur si për mua, ashtu edhe për shumë gazetarë të tjerë.

MJESHTRI I BLETARISË

Çavo Puleri ishte jo vetëm një nga bletëritësit më të moshuar, por edhe nga më të mirët e rajonit. Këtë eksperiencë të vyer ai e ndau bujarisht me teleshikuesit përmes kronikave të shumta televizive. Asnjëherë nuk do më hiqet nga sytë ecja e tij mes parkut të bletëve, tek kontrollonte kosheret një e nga një. Ky burrë në moshë të thyer, ishte si një libër historie. Në përgjithësi ai nuk më fliste në emër, por thoshte "djali i mikut". Kishte qënë mik me tim atë, që gjithashtu ishte bletëritës. Në kohën e trishtë të pandemisë, lëndinat e bleruara të kësaj zone të bekuar, më kthenin optimizmin e zbehur nga ankthi i  jetës. Megjithëse i gjendur aq pranë, situata e vështirë dhe përgjegjësia që ndjeja, nuk më favorizonin që ti shkoja në shtëpi për ta parë. Takimi i fundit me të ndodhi në 7 nëntor 2022 në verandën e shtëpisë së gojë-ëmbëlit Këno Qurku, ku mora një intervistë në lidhje me infermjeret amerikane që u strehuan në Saraqinishtë në dimrin e largët të vitit 1943. Fotografitë e këtij takimi të shkrepura nga miku im arkitekt, Reshat Gega i ruaj si ujët e pakët në arkivin e celularit tim, si një pjesë e rëndësishme e atyre çasteve të jetës profesionale, ku pa kthjelltësinë e memories së moshës së tyre të thyer, nuk do ja kisha dalë me sukses qëllimit  tim.

MISIONI  I BLETARIT

Fatkeqësisht largimi i njerëzve të thjeshtë nga jeta, në përgjithësi nuk ka qënë lajm për mediat lokale apo ato qëndrore. Por në disa raste mendoj se kjo duhet të ndodhë. Shpesh thjeshtësia dhe modestia e këtyre njerzve, është në fakt "streha" e madhështisë së tyre.

Sado e pazakontë të duket, më duhet të pohoj se; me ndershmërinë, burrërinë dhe bujarinë e tij, Çavo Puleri i kishte "fituar" që në të gjallë fjalën tonë ngushëlluese për ditën e tij të ikjes; "balta mjaltë"!. Mënyrën e lamtumirës njeriu e "miraton" dhe "përcakton" përmes punës dhe vlerave që shpalos për familjen dhe shoqërinë gjatë gjithë jetës së tij.

Është kjo arsyeja që ngushëllimin tim për familjarët dhe miqtë e tij, ta përcjell vetëm përmes frazës; Sa të rrojmë ta kujtojmë të shtrenjtin tonë!

Jam i sigurtë se "balta mjaltë" më shumë se kujdo do ti bëhet këtij bletë-rritësi, që përmes mjeshtërisë dhe dashurisë që tregonte ndaj bletëve, shpesh më krijonte përshtypjen se "bashkë-bisedonte" me to, si të ishte një nga "misionarët" e oborrit të tyre mbretëror. Për ata që e dinë se pa bletën vdes jeta e njerëzore, profesionalizmi, përkushtimi dhe kontributi i Çavo Pulerit në këtë fushë, mer një tjetër dimension. Në këtë kuptim ashtu si ai, ç'do profesionist i talentuar i kësaj fushe, është misionar i Jetës. Ndoshta për këtë arsye, Jeta tregohet aq bujare me bletë-rritësit. Jeta e 95 vjeçarit Çavo Puleri na e rrëfeu më së miri këtë gjë.

Lamtumirë Çavo Puleri! Lamtumirë miku im!

Shkruar nga Ilir Lluri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese