Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

LAJMI I FUNDIT/ Tragjedia me katër të vdekur në Fushë Prezë, policia shpall në kërkim administratorin e firmës së betonit; vihen në pranga shoferi i betonieres dhe menaxheri

Shkruar nga Newsbomb
LAJMI I FUNDIT/ Tragjedia me katër të vdekur në Fushë
Pamje nga aksidenti

Dy persona të tjerë kanë rënë në pranga të policisë lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Fushë-Prezës, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë, humbën jetën 4 të rinj.

24-vjeçari Valentin Krrashi, i cili është shoferi i betonieres që është përplasur makina e viktimave, është arrestuar nga autoritetet. Mbi Krrashin rëndojnë veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Valentin Krrashi drejtonte mjetin e tonazhit të rëndë i papajisur me patentën përkatëse, ndërsa e kishte parkuar betonieren në anë të rrugës dhe nuk kishte ndezur bllokazhin. Pas aksidentit fatal, 24-vjeçari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Valentin Krrashi është ndihmuar nga një i afërm i tij për tu larguar nga vendi i ngjarjes, i cili është arrestuar nën akuzat e penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu në pranga ka rënë dhe menaxheri i firmës për prodhimin e betonit, Danjel Koxha, firmës ku ishtë punësuar 24-vjeçari. Danjel Koxha është arrestuar nën akuzat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

Në kërkim është shpallur dhe administratoi i kësaj firme S. H., 27 vjeç, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për kapjen e tij.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë - Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;   

-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;

-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese