
Një lajm mjaft i mirë vjen nga Greqia. Avokati Sokol Mëngjesi ka dalë nga koma dhe gjendja e tij shëndetësore paraqitet optimiste.
Më 3 qershor famijarët e avokatit kërkuan që ta çonin për një mjekim më të specializuar në Greqi, pasi shpresonin se mjekimi atje do të jetë me shpresëdhënës për jetën e Mëngjesit dhe fatmirësisht ashtu rezultoi.
Avokati ndodhej në koma artificiale, që nga 29 maji, ku u sulmua brutalisht sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut.
Ishin 4 autorët të cilët e qëlluan me doreza hekuri dhe leva, të identifikuar si: Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, u vetëdorëzua në Polici; Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë; Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë; Romario Roberto Tabaku, 26-vjeç, banues në Tiranë.
Organizatori dhe porositësi i sulmit barbar ndaj avokatit është Dritan Nano. 58-vjeçari së bashku me një prej autorëve, Doarian Alian ndodhen në qeli, ndërkohë po vijon puna për kapjen e tre personave të tjerë.
58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë. Nano nuk ka respektuar detyrimet që ka pasur ndaj avokatit dhe studios ligjore.
Kanë qenë në total 8 trashëgimtarë që i përfaqësonte Mëngjesi dhe një nga ata nuk ka pranuar që të zbatojë kontratën dhe t’i paguajë detyrimet avokatit.
Sokol Mëngjesi ka kërkuar që të respektohet kontrata e firmosur para gjyqit, mirëpo vetëm njëri prej trashëgimtarëve, konkretisht 58-vjeçari Dritan Nano nuk ka pranuar të shlyejë pagesën. Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijoj shitja.