
Një mosmarrëveshje mes dy familjeve shqiptare u kthye në tragjedi mbrëmjen e së mërkurës në Tavullia, në provinën e Pesaro Urbinos.
Gjatë një debati të dhunshëm, 38-vjeçari shqiptar, Dritan Idrizi, u godit me thikë për vdekje. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, shqiptari humbi jetën pasi kishte marrë tre goditje në gjoks.
Ndërkohë, së fundmi në mediat italiane është publikuar edhe foto e 38-vjeçarit. Personi që shihni më poshtë është pikërisht Dritan Idrizi i cili së bashku me tre shqiptarë të tjerë, shkuan në shtëpinë e disa bashkëkombësve të tyre për të marrë një borxh prej 5 mijë euro, mirëpo aty ai u qëllua me thikë për vdekje.

Sipas dinamikës së krimit referuar hetimeve paraprake, ka qenë një nga anëtarët e grupit të të ndjerit që ka sulmuar një grua të familjes ku po kërkohej borxhi. Dyshohet se ajo është goditur me çekiç në kokë. Më pas bashkëshorti i saj ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar disa herë 38-vjeçarin.
Përveç viktimës, gjatë përleshjes kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë. Për momentin nuk ka asnjë të arrestuar, por karabinierët e Pesaros po hetojnë me akuzat për vrasje, tentativë vrasje dhe plagosje të rëndë.
Sakaq, Dritan Idrizi nuk ka qenë një emër i panjohur për autoritetet italiane pasi më herët ka qenë i dënuar për drogë.