Detaje të reja janë nga operacioni "Antonimet", ku ranë pranga një gazetar si dhe një efektive e AMP-së në Durrës.
Në pranga ka rënë Regina Omeri 34 vjeç, punonjëse e AMP-së Durrës dhe gazetari Ervis Hasanaga 35 vjeç. Po ashtu nga ky operacion u shpall në kërkim shtetasi Kushtrim Selimi, 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Burime për media bëjnë me dije se personat në fjalë fshihen pas portalit “shqipneës.info”, ku denigroheshin qëllimisht figurat e zyrtarëvë publik apo publikoheshin lajme të rreme nëse nuk do të paguhej gjoba. Kjo është hera e parë që arrestohet një gazetar pas shumë vitesh.
“Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Antonimet".
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës; E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.