Teksa autoritetet e Ministria e Arsimit po “ngrenë zërin” nëpër televizione e rrjete sociale për sigurinë dhe edukimin e të miturve, një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Shkodrës.
Përmes një njoftimi zyrtar Policia e kryeqendrës së veriut njofton se një 15-vjeçar ka kërcënuar me thikë një 13-vjeçar. E gjithë ngjarja ka ndodhur pas një debate për motive të dobëta mes dy të miturve.
Blutë e Shkodrës kanë nisur procedim penal ndaj adoleshentit, ndërkohë thika është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sakaq, burime për newsbomb bëjnë me dije se dy të miturit janë miq nga e njëjta shkollë dhe debati kishte filluar teksa ata ishin duke luajtur.
“Komisariati i Policisë Shkodër referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 15 vjeç, pasi ka kanosur me mjet prerës (thikë), një 13-vjeçar, për motive të dobëta. Mjeti prerës u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton Policia.
Mesditën e kësaj të enjte, në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt dhe interpelanca e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupës dhe ministres së Arsimit, Ogerta Manastiruliu lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur më 18 nëntor, ku jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, i mituri Mario Përlleshaj qëlloi me thikë në zemër bashkëmoshtarin e tij Martin Cani si dhe plagosi shokun e tij, Luis Meçja.
Teksa Zhupa iu drejtua Manastirliut duke i kërkuar më tepër siguri dhe edukim të së miturve nëpër shkolla, kjo e fundit ia ktheu duke i thënë se rasi në fjalë i Martinit, është instrumentalizuar për politikë nga opozita, ndërsa qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problematikës së dhunës dhe bullizmi në shkolla.
“Ka vetëm një qëllim të shmangim këto ngjarje që të mos ndodhin në të ardhmen, kjo do të thotë të ndjekësh dhimbjen dhe jo ta kthesh në cirk. Institucionet arsimore janë dhe hallka në edukimin e qytetarëve tanë. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përgjegjësi për ambiente të sigurta në shkolla. Për ngjarjet në fjalë janë marrë masat për zbardhjen e plotë. Këto ngjarje janë të dhimbshme dhe duan zgjidhje serioze”, tha Manastirliu.