Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kushëriri i Fredi Belerit ndalohet në kufi me "fletushka", Policia shqiptare kërkon ndihmën e ANTITERRORIT

Shkruar nga Newsbomb
Kushëriri i Fredi Belerit ndalohet në kufi me "fletushka",
FotoMontazh: Minoritari Fredi Beleri ne qeli

Kushëriri i Fredi Belerit, Jani Beleri dhe nënkryetari i Omonias për Himarën, Nestoras Varfis raportohet se janë mbajtur disa orë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Newsbomb.al mëson se bëhet fjalë për ndalimin e këtyre dy shtetasve në Pikën Kufitare të Mavromatit, në zonën e Finiqit.

Këta shtetas kanë pasur me vete fletëpalosje për kandidimin e Fredi Belerit në zgjedhjet për eurodeputet dhe "fletushka" të tjera që janë cilësuar si me përmbajtje të dyshuar terroriste.

Menjëherë, nga ana e efektivëve të Policisë Kufitare është bërë ndalimi i shtetasve Jani Beleri dhe Nestoras Varfis. Në Doganën e Mavromatit është kërkuar dhe ndihma e Drejtorisë së Antiterrorit, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti grek dhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Angelos Syrigos. Ai ka thënë për mediat në vendin fqinj se dy shqiptarët që janë pjesë e deklaruar e minoritetit grek janë ndaluar mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 dhe janë lënë të lirë vetëm mëngjesin e sotëm.

Efektivët në Stacionin Kufitar të Mavromatit në Thesproti kanë kërkuar ndihmën e Antiterrorit, për të shqyrtuar nëse materialet kishin përmbajtje ekstremiste/terroriste, por sipas deputetit Angelos Syrigos kjo drejtori në Policinë Shqiptare funksionon deri në orën 22.00.

"Çështja është edhe më e ndërlikuar pasi antiterrorizmi nuk funksionon pas orës 22:00 të natës në Shqipëri, dhe për pasojë ndalimi i dy grekëve është bërë që nga mbrëmja në postën kufitare shqiptare", ka thënë deputeti grek, përcjell newsbomb.al.

Në makinën ku udhëtonin kushëriri i Fredi Belerit dhe nënkryetari i Omonias për Himarën, janë gjetur broshura parazgjedhore të Fredi Belerit dhe fletë votimit të Demokracisë së Re, parti e cila e ka vendosur atë në garë për eurodeputet. Jani Beleri dhe Nestoras Varfis po ktheheshin në Himarë, nga një tubim që kishin pasur në Athinë mëngjesin e së dielës.

Pasi materialet janë parë mëngjesin e kësaj të hëne, datë 3 Qershor, është konstatuar se ato nuk përmbanin asnjë element të dyshimtë dhe dy shqiptarët pjesë e minoritetit grek janë lënë të lirë.

Në dijeni të këtij ndalimi ka qenë Ambasada e Greqisë në Shqipëri dhe Konsulli grek në Gjirokastër, i cili ka mbërritur në Stacionin Policor të Mavromatit. Ai ka qëndruar me kushëririn e Fredi Belerit dhe nënkryetarin e Omonias deri në mëngjes, kur ata janë lënë të lirë.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese