
Dy persona të maskuar më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, rreth orës 02:30, u futën në zyrat e kompanisë telefonike “One” në zonën e Laprakës në kryeqytet. Sipas asaj që ORA News raportoi, me leva në duar ata shkatërruan disa kompjutera.
Kjo ngjarje aso kohe nuk u denoncua në organet kompetente, Policia e Shtetit nuk u vendos në dijeni për “bastisje”. Kompania në fjalë nuk lajmëroi efektivët, por vetëm shoqërinë private të sigurimit “Nazeri 2000”.
Vetëm ditën e djeshme, nëpër media qarkulluan disa foto dhe informacione të cilat “hodhën dritë” mbi këtë ngjarje e cila prej 3 muajsh u mbajt e fshehtë nga kompania telefonike “One”.
Menjëherë policia nisi hetimet dhe mëngjesin e kësaj të mërkure doli me një njoftim zyrtar ku dhe njoftuan se pas marrjes së informacionit për këtë ngjarje të ndodhur dhe të pa raportuar, kryen veprimet verifikuese dhe hetimore dhe në përfundim morën të pandehur 7 persona, drejtues të kompanisë telefonike “One Albania” si dhe punonjës të shoqërisë private të sigurimit “Nazeri 2000”.
Nga hetimet paraprake rezultoi se rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.

Ngjarja sipas Policisë ishte konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, shtetasi Gentian Koçi, i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Koçi, rreth 50-vjeç, punonjësi i sigurisë fizike në këtë kompani telefonike, ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë. Po ashtu, është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi hetimi për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj:
• 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, shtetasve Gentian Koçi, 50 vjeç dhe Arsil Feshti, 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit Erald Sina, 38 vjeç.
Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj:
• drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve Alfred Zylala, 54 vjeç, Gëzim Sala, 40 vjeç, Koço Veneti, 63 vjeç, Myzafer Dinoshi, 55 vjeç; dhe Ismet Tartari, 62 vjeç
E teksa Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje e cila është e veshur me “mister”, natyrshëm në rrjet ka lindur pyetja se : “Pse është mbajtur kjo ngjarje e fshehtë?”. Vlen të theksohet se “One” është një prej kompanive për të cilat është shkruar në raportin prej 366 faqesh të Prokurorisë së Posaçme ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kjo kompani telefonike deri në vitin 2024 i ka dhënë kompanisë Gogel SHPK, me pronar vëllain e Veliajt, Arbër Veliajt, 551 milionë e 640 mijë lekë të reja për reklamë PR në media dhe fushata të ndryshme publicitare që nga nënshkrimi i kontratës.
“Nga hetimet rezulton se klienti kryesor i Gogel shpk është “One Albania” me një total shitjesh që arrin në 551,639,924 lekë (deri në datë 5 qershor 2024). Nga ana tjetër, nga hetimet evidentohet se kompania One Albania ka marr ëpjesë në disa procedura prokurimi publik dhe ka arritur të shpallet fituese në disa prej tyre, duke bashkëpunuar kryesisht me Qeverisjen Vendore në Tiranë përfshirë këtu tenderin me objekt “Shërbim i infrastrukturës së dedikuar optike dhe shërbimeve data” me një fond limit prej 74,398,398 lekë.
Për këtë tender kompania është shpallur fituese në datën 15 tetor 2024 me një vlerë kontraktuese prej 68,774,075 lekë. Një tjetër projekt i rëndësishëm ka qenë ofrimi i shërbimeve online për monitorimin e trafikut urban në bashkinë Tiranë. Ky tender me një fond limit prej 41,662,726 lekë rezultoi me nënshkrimin e kontratës më 1 nëntor 2024, me një vlerë përfundimtare prej 40,383,527 lekë”, shkruhej në fashikujt e dosjes së SPAK.