Profesori i njohur i Kriminologjisë, Ervin Karamuço ka treguar për herë të parë mbrëmjen e kësaj të mërkure se një reporter vendas është kërcënuar me jetë nga një politikan. Sipas tij, reporteri ka gjetur në derën e shtëpisë dy plumba.
"Ka një rast që mua më ka ardhur shumë keq, që nuk është raportuar. Madje, personi vetë e ka mbajtur përvete, ta trajtojë privatisht. Ai është një person që del rrallë nëpër këto mediat, por më shumë raporton. Është një raportues i mirë dhe aktivist i madh i shoqërisë civile. Është i lidhur dhe me ambasadat dhe me partnerët ndërkombëtarët.
Ka bërë një raport për pastrimin e parave në Shqipëri, partitë politike, ato të lidhura me rusët, etj, etj. Ka folur gjerë e gjatë. Si duket ka vajtur në vesh të dikujt nga këta politikanët, që i ka prishur punë, dhe para ca kohësh i janë gjetur dy plumba te dera e shtëpisë.
Ka bërë një investigim privat, ka arritur deri ta kuptojë edhe ka indicie shumë të forta se kush nga këta politikanë e ka bërë këtë. Unë e inkurajova ta denoncojë, tha jo, do bëhet një zhurmë dhe e di që ai politikanë ka urdhëruar dhe vrasje dhe nuk dua të rrezikoj familjen. E ka mbyllur këtu këtë histori", tha Ervin Karamuço në emisionin "Top Story".
Ai tregoi gjithashtu, se politikanët që po përballen me SPAK kanë krijuar armiqësi me njerëzit e tyre të afërt, deri në dhunë psikologjike e fizike. I pyetur nga drejtuesja e emisionit, Grida Duma nëse bëhet fjalë për rastin e Ilir Metës, ai tha se po fliste për fenomenin.
Ervin Karamuço: Unë shikoj një fenomen, jo vetëm për rastin konkret, por një fenomen në tërësi të një kaste politikanësh që po përballen me SPAK. Kanë të njëjtën simptomë. E para, kanë krijuar armiqësie ke njerëzit e afërt të tyre. Deri te dhunë psikologjike dhe fizike. Së fundmi, ka dhe fizike, janë raportuar këto.
Grida Duma: Si dhunë fizike?
Ervin Karamuço: Goditje në zyra. Goditje, me shkelma, etj, etj. Për t'i nxjerrë përjashta.
Grida Duma: Po flasim për rastin konkret? (I referohet rastit Meta)
Ervin Karamuço: Jo, jo, jo. Unë flas në fenomen. Nuk hy në raste konkrete.