Pasuritë e shtetasit Ago Gjolaj dhe personave të lidhur me të, janë sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, pasi ky shtetas akuzohet për veprën penale të “Pastrimi i Produkteve të veprës penale”. Bëhet fjalë për 97 makina, disa prona dhe llogaritë bankare.
Konkretisht, janë sekuestruar: Shoqëria tregtare “B.M” SHPK, me Nipt: K68404706Q dhe pasuritë e paluajtshme në pronësi të saj, 97 automjete në pronësi të shoqërisë “B.M” Shpk; dhe gjendja aktuale në të gjitha llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë, në emër të shtetasit Ago Gjolaj, shtetases Sonjela Gjolaj, si dhe të shoqërisë “B.M” SHPK.
Newsbomb.al raporton ekskluzivisht se Ago Gjolaj është biznesmeni shkodran që tregton pijen energjike "8S2", një pije e ndaluar në territorin shqiptar pasi është imitim i pijes energjike të prodhuar në Holandë "B-52".
Po ashtu, kompania “B.M” SHPK në pronësi të bashkëshortes Sonjela Gjolaj, por e kontrolluar nga Ago Gjolaj është importuese dhe e birrës "Bavaria".
Ky shtetas dhe kompania e tij është përfshirë në një sagë të gjatë përballjesh me drejtësinë, pasi kompania "Arseni SH.P.K" është e vetmja që ka ekskluzivitetin për importimin dhe tregtimin e pijes "B-52" nga Holanda. Drejtësia i ka dhënë të drejtë, por autoritetet nuk e kanë ndaluar Ago Gjolaj të sjellë në Shqipëri imitimin "8S2".
Sipas raportit Nr. 154/M.a, datë 22.04.2022 të Anti-krimit Ekonomik dhe Proces-Verbalit të Kontrollit Nr. 67/2, datë 19.05. 2022 të Task- Forcës Hetimore” të Tatimeve, thuhet se firma “M.B Sh.p.k” është konstatuar se ka gjendje e hedh në treg, 60 herë më tepër sasi pijesh, se sa raporton të prodhuara e importuara. Për këtë mashtrim, kompania është dënuar me 15 milionë lekë gjobë.
Sikur të mjaftonin të gjitha këto beteja të humbura në të gjitha shkallët e drejtësisë dhe dhjetëra artikujve investigativ në media, Ago Gjolaj i bën "karshillëk" shtetit me dhjetëra automjete luksoze tip "Lamborghini" me të cilat shpërndan pije energjike, ku vetëm një prej tyre kap vlerën e 300 mijë eurove.
© Newsbomb.al