Shëndeti i Kryepeshkopit Anastas Janullatos është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka shprehur lutjet e tij për shërimin e udhëheqësit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Spahiu e cilësoi Kryepeshkopin si një figurë të rëndësishme për komunitetin ortodoks, një lider tolerant dhe bashkëpunues, me të cilin ka pasur një marrëdhënie të gjatë dialogu ndërfetar.
“Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, z. Anastas Janullatos, ndodhet prej disa ditësh në gjendje jo të mirë shëndetësore. Me Janullatosin kemi vite që bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë veprimtarinë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.
Lider i kujdesshëm për besimtarët që përfaqëson dhe bashkëpunues e tolerant me këdo. I lutemi Zotit për shërimin e tij të shpejtë e të plotë”, shkruan Spahiu.
Ndërkohë, mësohet së fundmi se shëndeti i Kryepeshkopit është përkeqësuar ndjeshëm. Mjekët në spitalin "Ungjillëzimi" të Athinës, ku ai është i shtruar prej fillimit të janarit, kanë kryer një trakeostomi pas dështimit të përpjekjeve për ta nxjerrë nga intubimi.