
Festës së 10-vjetorit të Newsbomb nuk mund t’i mungonte as kryeministri Edi Rama. Edhe pse agjenda e tij ishte e ngarkuar, ai gjeti kohën për të qëndruar disa minuta në ambientin fantastik të krijuar në Pallatin e Brigadave.
Natyrisht, ironitë dhe batutat që e karakterizojnë nuk nuk i “kurseu”, por mirënjohja dhe respekti për punën e gazetarëve, e veçanërisht për rezistencën e pashoq të Anila Bashës për të qenë pjesë e rëndësishme e medieve, e vlerësoi dhe e evidentoi.
Edhe pse Basha u përpoq ta ngacmonte për një deklaratë të tij për gazetarët italianë, këtë radhë e anashkaloi për t’ia lënë vendin festës dhe haresë që përshkuan minutat e mëpasshme.
Pjesë nga fjalimi i Ramës në festën e Newsbomb.al:
Rama: Tani nuk e kuptoj pse duhet të dilja. Unë erdha për të shoqëruar gruan me të thënë të vërtetën. Mua këtu treçereku s’më shikojnë dot me sy, ti më nxjerr këtu përpara. Ça të them, për çfarë duhet të flas?
Anila: Është fillimi i vitit dhe mund të ishte një mesazh shumë i mirë… Ai treçereku që s’të shikon dot, mund t’i kthehet mendja…
Rama: Jo nuk kam asnjë…
Anila: Duket sikur ky është një inskenim, ky debate që po bëjmë tani.
Rama: Nuk kam asnjë përpjekje…
Anila: Prap vazhdon, gazetarët shqiptar…
Rama: Mos t’iu kthehet mendja, të qëndrojnë fort aty ku janë, të këmbëngulin fort dhe të bëjnë gjithçka për të më rrjepur lëkurën. Kam 7-të, deri tani vetëm lëkurën e 2-të keni kapur, kam edhe 5-së të tjera, kështu që si të doni, nuk ka asnjë problem për mua. Unë jam komplet jashtë loje këtu. E vetmja gjë që mund të bëj për ju, për treçerekun është të mos mbaj fjalim. Kjo është e vetmja gjë që mund të thoni, këtë na e bëri se kush e duronte edhe një fjalim tjetër.
Por, meqë dola këtu në një farë mënyre i bullizuar dhe i përdhunuar për të marrë fjalën, për të thënë të vërtetën, duke dëgjuar edhe unë Anilën kam menduar se shpëtuam nga Anila, kur doli kështu e pavarur, thash të paktën 1 na iku. Por nuk iku, nc, nuk iku. Është këtu me revistë, me portal, me të gjitha të zezat, respekte. Respekte për rezistencën, kam respekt pavarësisht se mund të mos ndaj me ta të njëjtat opinione. Më lejo të të shpreh edhe respekte në emër të presidentit që është këtu i pranishëm, z.Armand Duka. E di se ti atë ke president e kryeministër, kurse në të tjetër jemi kështu mish për top, ku të na kafshosh, në kuptimin figurativ. Faleminderit të gjithëve për durimin dhe këto buzëqeshjet po më duken shumë, tmerrsisht të pa sinqerta, Po e le mikrofonin që të mos merreni shumë me mua. Është e vërtetë që unë prodhoj shumë kontent për këta.
Anila: Një gjë më vrau veshin, nga ndryshojnë gazetarët italianë me ne?
Rama: (Qesh) Ose s’ke dashur ta kuptosh, ose bën sikur se kupton, unë nuk e di, por që… Unë si lëndë e parë që jam për shumicën dhe shumica këtu jetojnë, një pjesë e madhe falë meje. Në kuptimin që s’i lëndë e parë që jam, merret, grihet, bëhet qofte, bëhet tasqebap apo këto gjellërat e tjera. Si lëndë e parë iu premtoj që do të jem i disponueshëm për prodhim edhe disa kohë, kështu që ju vazhdoni, unë vazhdoj dhe ti Anila vahdo. Unë të uroj shumë suksese, më mirë të kishe marrë gruan time se mua.