Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin festojnë Pashkët. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën e 4 majit dhe 5 majit.
Në Tiranë mesha e shenjtë është duke u kremtuar në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Të shumtë janë ata besimtarë të cilët kanë shkuar për të kremtuar “Ringjalljen e Krishtit”. Pas përfundimit të meshës ata do të largohen për në shtëpinë e tyre me qirinj të ndezur në duar, gjë e cila simbolizon dritën e shpresës.
“Krishti u ngjall” është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe. Pashka Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit.
Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Pjesë tjetër e traditës së Pashkës Ortodokse është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve. Zakonisht në traditën ortodokse vezët ngjyrosen ditën e enjte para Pashkëve dhe konsumohen ditën e diel ose në ditët në vazhdim.
Newsbomb.al ju uron të gjithë besimtarëve Ortodoksë Gëzuar festën e Pashkëve!