Kryetari i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar se nuk do të komentojë mbi asnjë vendim të Gjykatës së Posaçme apo Apelit të GjKKO-së. Gjatë raportimit në Këshillin Kombëtar të Integrimit, Dumani u shpreh se Gjykata është sovrani dhe deri më tani, ata kanë demonstruar profesionalizëm në dhënien e vendimeve.
“Gjykata është sovrani dhe kanë demonstruar profesionalizëm në dhënien e vendimeve”, shprehet Dumani.
I pyetur nga deputetja e PD-së Dhurata Çupi, lidhur me deklaratën që vetë kreu i SPAK dha herën e kaluar gjatë raportimit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, “GJKKO vendos atë çfarë Prokuroria e Posaçme kërkon”, Dumani qartësoi se nuk i komenton këto vendime pasi sipas tij gjykata është në të drejtën e saj që të japë vendime bazuar në ligj dhe prova.
Ndërsa shtoi se gjatë raportimit para KLP-së, ai ka evidentuar një problematikë institucionale duke qenë se kemi rritje të pafajësisve dhe ka kërkuar që prokurorët të jenë më të kujdesshëm në ngritjen e akuzave. Kreu i SPAK, Dumani theksoi se ndonjëherë përfshirja më shumë se çduhet në çështjet që marrin përsipër, ndikon që të lidhen me të dhe të kërkojë që vendimi të jetë në favor të tyre, por gjykimi i gjykatës është më i drejtë përfundoi ai.
“Në raportimin tim para KLP kam evidentuar një shqetësim institucional që kishte të bënte me prokurorinë që kishte të bënte me rritjen e numrit të pafajësive krahasuar me 1 vit më parë. Gjithë qëllimi është ky që ne prokurorët të jemi më të kujdesshëm, kur ngremë akuza.
Gjykata është në të drejtën e vet të japë vendime si produkt i bindjes së brendshme dhe duke u bazuar në ligj e prova. Nuk komentoj asnjëlloj vendimi gjykate, jam prokuror dhe mund të jem i pakënaqur me një vendim gjykate, pasi një prokuror lidhet pas një çështje dashurohet me të dhe ajo që unë mendoj është zgjidhja e drejtë”,- tha kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit në Këshillin Kombëtar të Integrimit.