Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kreu i përmbarimit Tedi Malaveci “përcjell” për në SPAK Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon

Shkruar nga Newsbomb
Kreu i përmbarimit Tedi Malaveci “përcjell” për
Fotomontazh: Tedi Malaveci dhe Gent Sejko

Një vendim i bujshëm doli në 7 qershor 2024 nga Gjykata Penale e Shkallës së Parë të Tiranës. Gjyqtarja Migena Laska vendosi të shpallë moskompetencën e gjykatës së zakonshme dhe të dërgojë në SPAK çështjen penale në ngarkim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

Guvernatori është kallëzuar në vitin 2022 për “shpërdorim detyre” nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë, si autor i krijimit të skemave të mashtrimit me mikrokredi. Kallëzimi, sipas vendimit të Laskës është hetuar për dy vjet dhe në fund është kërkuar të pushohet në janar të këtij viti nga prokurorja Ornela Rrumbullaku.

Përmbaruesit kundërshtuan kërkesën për pushim të prokurores duke renditur një numër pretendimesh për veprime që duheshin kryer nga ana e prokurorisë.

Kreu i përmbarimit Tedi Malaveci “përcjell” për

Në vendimin e 7 qershorit, dalin në dritë për herë të parë detaje të një skandali që është mbajtur i mbyllur për disa vite deri në plasjen e tij dy- tre javë më parë, me arrestimin e 9 përmbaruesve, mes tyre edhe të aksionerëve të Micro Credit Albania dhe Final. Një ditë pas arrestimit, Banka e Shqipërisë u hoqi licensat të dyja shoqërive mikrofinancë dhe ky veprim i Guvernatorit ngjalli dyshime dhe komente në opinionin publik.

Në seancat e gjykimit para gjyqtares Migena Laska është paraqitur vetë kreu i përmbarimit Tedi Malaveci, ku ka munguar guvernatori Sejko dhe prokurorja Rrumbullaku. Ndër pretendimet e shumta të kreut të përmbarimit të renditura në vendimin e Laskës, kryesori është ai që ka të bëjë me ndryshimin e rregullores së bankës qendrore për të favorizuar shoqëritë mikrofinancë.

 “Përgjegjësia lind dhe bartet nga i kallëzuari, por dhe nga bashkëpunëtorët e tij “të heshtur”, që prej amendimit antiligjor të Rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”, nëpërmjet së cilës këtyre institucioneve financiare jobanka iu hap rruga dhe iu lejua fenomeni i shitje-blerjes së “kredive me probleme” dhe më pas duke mos e mbikëqyrur në asnjë rast aktivitetin e tyre, por trajtuar thjesht si një domen tregtar privat që shpërfilli hapur interesin publik, krijuan pasojat që kemi sot.

Një pjesë e këtyre pasojave janë bërë të njohura publikisht nëpërmjet komunikatave zyrtare të Dhomës “Stop Ankandet Mashtruese” më 14.11.2023 dhe Kallëzimit Penal Nr. 1158 Prot. datë 22.11.2023, depozituar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”, ka pretenduar Malaveci.

Sipas këtyre pretendimeve gjykatësja ka vendosur që ta dërgojë çështjen për vlerësim në SPAK në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, pasi ajo nuk mund të shprehej.  

Është Gjykata e Posaçme që do vendosë për fatin e Guvernatorit Sejko që tani gjendet përballë dy proceseve paralele penale në SPAK, njërin që e dërgoi prokurori i Tiranës Leonard Filopati dy javë më parë me të njëjtin pretendim moskopetencë dhe tjetri që lidhet me këtë vendim të gjyqtares Migena Laska, që do shqyrtohet nga një gjykatë që është po kështu brenda juridiksionit të SPAK.

Është hera e pare që në Shqipëri hetohet një Guvernator Banke për krijim skemash mashtrimi me mikrokreditë.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese