Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve ku po zhvillohet seancë dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2023, ka ngritur disa shqetësime, një prej tyre edhe moszbardhja e vendimeve brenda afatit.
Artur Metani ka shprehur shqetësim në lidhje me vonesat në vendimet kryesisht tek Gjykata e Tiranës dhe në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ku sipas tij kanë qenë ankesat edhe më të shumta. Ai tha se mirëkupton ngarkesat që kanë gjyqtarët, por theksoi se është e patolerueshme neglizhenca, duke i bërë thirrje që t'i zbatojnë afatet, ose do të nisë hetimi disiplinor.
“Inspektimi tekmatik ishte një fotografim i momentit, pra fotografim i një 6 mujori nga korrik 2022 deri në dhjetor 2022 për të parë se çfarë po ndodh në Gjykatën e Tiranës dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së parë me zbardhjen e vendimeve. Sepse ankesat ishin për zbardhje me vonesë të vendimeve. Ajo që pamë ishte që shumë gjyqtare dhe shumë çështje, rreth një mijë ishin vendime të zbardhura jashtë afatit 20 ditor. Ky afat fillonte nga 21 ditë, deri tek 1 vit.” - ka thënë Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Metani tha se për SPAK ka pasur 81 ankesa nga të cilat 54 janë trajtuar dhe 27 janë në proces.
"Ka pasur ankesa për GJKKO dhe SPAK, për SPAK ka pasur 81 ankesa dhe 54 janë trajtuar, janë në proces 27, për GJKKO ka pasur 41 ankesa, janë trajtuar 27 dhe 14 janë në proces.”
Ndërsa tha se nga 20 inspektorë që ka në organikë trupa e Inspektorëve në ILD, sot ka vetëm 10 inspektorë, ai bëri thirrje për prokurorë të bëhen pjesë e ILD-së.
“Ky është bërë gangrenë si proces. Është kërkesë në vijimësi. Ka rezultuar dhe në kërkesë për ndryshime ligjore për të mundësuar plotësimin e trupës së inspektorëve të ILD, për të pasur dhe inspektorë magjistratë. Nga 20 që duhet të ketë trupa e inspektorëve në ILD, janë 10 në detyrë, 4 magjistratë prokurorë dhe 6 janë jo magjistratë. Thirrjet janë bërë herëpashershme. 8 thirrje deri tani, asnjë interes për t’u bërë pjesë e trupës së inspektorëve të ILD”, - tha ndër të tjera Metani.