Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kreu i grupit të Shijakut, Policia prangos Astrit Avdylin

Shkruar nga Newsbomb
Kreu i grupit të Shijakut, Policia prangos Astrit Avdylin
Ilustrim: Astrit Avdyli, i njohur si "i urti"

Astrit Avdyli, kreu i grupit të Shijakut i njohur dhe me nofkën "i urti", është arrestuar nga Policia e Shtetit. Ai ishte shpallur në kërkim për operacionin "Revanshi" të drejtuar nga SPAK, ku u goditën shtatë grupe kriminale që merreshin me vrasje me pagesë dhe trafik droge.

Ky shtetas është lokalizuar në shtëpinë e tij në Shijak dhe menjëherë është organizuar operacioni për prangosjen e tij.

Mësohet se në momentin e arrestimit dhe bastisjes së shtëpisë ku qëndronte Astrit Avdyli, është gjetur dhe një armë zjarri pistoletë. Dyshimet janë se ajo është pa leje, por këtë pritet ta konfirmojë më vonë Policia e Shtetit.

Operacioni i SPAK në 2024 - "Revanshi"

Astrit Avdyli u shpall në kërkim pak javë më parë në kuadër të operacionit të SPAK me agjenci të huaja ligjzbatuese për goditjen e shtatë grupeve kriminale, të cilat kryenin vrasje me pagesë. Ky shtetas rezulton se në cilësinë e drejtuesit të grupit të Shijakut kishte bërë aleancë me grupin e ish-deputetit Arben Ndoka dhe atë të Ervis Martinaj.

Të tre këto grupe kriminale që vepronin mes Shijakut, Fushë Krujës dhe Lezhës kishin një qëllim të përbashkët, atë për eleminimin e "të fortit të Niklës" Durim Bami.

Arben Ndoka e bënte atë përgjegjës për vrasjen e të vëllait Aleksandër Ndoka dhe kishte bërë aleancë me Avdylin dhe Martinaj për të vrarë Durim Bamin. Kreu i grupit të Shijakut, po ashtu shfaqej në bisedat e "SKY" duke ndihmuar Martinajn të eleminonte kundërshtarët. Ai kishte dërguar të afërmin e tij Aldo Avdyli, për të kryer vrasje me pagesë për llogari të mbretit të kumarit.

Operacioni i kokainës "Vol-vo 4"

Astrit Avdyli u arrestuar edhe disa vite më parë për laboratorin e kokainës që u gjet në Brenogë të Hasit, bashkë me vëllezërit e tjerë dhe të paktën 20 anëtarë të tjerë të grupit që kishin lidhje me drogën. Operacioni mori emrin “Vol-vo 4”.

Ndaj "kokës" së grupit të Shijakut rëndonin akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës”.

Për këto akuza, ai është dënuar me 6.8 vite burg dhe i është konfiskuar pasuria, por në vitin 2021 arriti të lirohet nga qelia për shkak se i përfunduan afatet e paraburgimit. Ligji e parashikon 12 muaj paraburgimi, ndërsa vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kishin bërë 14 muaj paraburgim.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese