
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla ka reaguar pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për t’a përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i KLP-së Balla e cilësoi vendimin e KPA-së si të turpshëm, pasi vendosi sipas tij që të ndërpresë vetingun si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë, duke çuar në përjashtim për 15 vite, ndalesë e cila u vendoset vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra, ndërsa shton se ky nuk ishte rasti i tij.
Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua”,- shkruan kreu i KLP-së, Alfred Balla.
Kreu i KLP-së evidenton se vendimi i KPA-së nuk ka lidhje me statusin e tij aktual në krye të KLP-së pasi është i zgjedhur në këtë institucion nga parlamenti dhe jo si magjistrat.
Gjithashtu, Balla qartëson se vendimi i ndërmarrë ndaj tij nuk është vendim shkarkimi, duke qenë se ndaj tij nuk është nisur një hetim administrativ. Sipas Ballës në bazë të vendimit, ai nuk mund kandidojë për vende të caktuara në sistemin e drejtësisë, deri në një njoftim përfundimtar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj).
“Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat.
Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.
Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj”,- përfundon Balla.
Më herët në njoftimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit thuhej se ishte vendosur që të ndërpritej procesi i rivlerësimit për Alfred Ballën dhe se ai nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare.
"Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si I tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare", thuhet në vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Reagimi i plotë i kreut të KLP-së, Alfred Balla:
Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua.
Ky vendim më la shije jo të mirë edhe pse nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat.
Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje.
Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GjEDNj.
Më keq me vjen për avokaten time, që kishte bindjen se çështja ishte e fituar, nisur nga gjithë praktika e vetë KPA-së…