Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kopjoi të dhënat e TIMS, Ervin Muça shkon në Gjykatë: Jam i pafajshëm, lëreni drejtësinë të veprojë

Shkruar nga Newsbomb
Kopjoi të dhënat e TIMS, Ervin Muça shkon në Gjykatë:
Ne foto Ervin Muca

Ish-drejtori i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, është paraqitur mesditën e kësaj të premte pranë ambienteve të Gjykatës së Tiranës, pasi akuzohet për ndërhyrjen e paligjshme dhe vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, në verën e vitit 2023.

Në një prononcim të shkurtër për mediat Muça është shprehur se është i pafajshëm, duke theksuar se ka kryer vetëm detyrën dhe nuk ka bërë asnjë shkelje.

 “Deklarohem i pafajshëm. Është spekulim mediatik. Kam kryer detyrën, lëreni drejtësinë të veprojë, nuk kam bërë asnjë shkelje. Nuk kam kopjuar asnjë të dhënë. S’mi ka kërkuar askush”, tha Muça shkurtimisht për mediat.

Ervin Muçës i është caktuar masa "Arrest në shtëpi" dhe "Pezullim nga detyra", për ndërhyrjen e paligjshme dhe vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, në verën e vitit 2023.

Ai akuzohet për “Shpërdorimit të detyrës”, dhe “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike” pasi rezulton se më datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.

Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Mirëpo gjatë marrjes në pyetje Muça ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje dhe që të ketë kopjuar të dhënat e TIMS. E teksa Muça ka këtë pretendim, të kundërtën tregojnë pamjet e kamerës së sigurisë. Teksa drejtori i IT ka thënë se nuk ka qenë në punë atë ditë, kamerat tregojnë qartazi prezencën e tij në ambiente e Policisë.

Po ashtu kamerat kanë kapur momentin kur ish-drejtori merr të dhënat me një pajisje private. Por, nuk dihet ende se për çfarë Muçës i duheshin këto të dhëna kaq sekrete. Pasi flasim për sistemin TIMS, ku janë informacione si lëvizja e qytetarëve jashtë shtetit, por edhe të dhëna për persona që janë në kërkim, për ngjarje të rënda kriminale.

Burime bëjnë me dije se për këtë ngjarje po verifikohet edhe personi tjetër, i cili u fut në godinë në mënyrë të paautorizuar. Ai dyshohet se ka ndihmuar Muçon në kopjimin e të dhënave.

Emërimi si Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit pa certifikatë sigurie

Gazetari Ferdinand Dervishi, ka shkruar një muaj pas skandalit se Ervin Muça, Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit i akuzuar për sulmin/ndërhyrjen ndaj sistemit TIMS, nuk ka pasur kurrë një certifikatë të sigurisë së personelit. Një kriter kyç për emërim në poste të tilla, sepse personi është në kontakt për shkak të detyrës me informacione të kategorizuara "tepër sekret".

Mungesa e këtij dokumenti është konfirmuar zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (AKSIK) që shkruante: "Z. Ervin Muça nuk është i pajisur me CSP (certifikatë të sigurisë së personelit) dhe për rrjedhojë nuk ka asnjë kërkesë për konfirmim të vlefshmërisë".

Siç ka rezultuar dhe pas ndërhyrjes së paligjshme në TIMS mbrëmjen e 2 Gushtit 2023, por dhe me pas, Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit jo vetëm që është emëruar në detyrë në mungesë të një certifikate sigurie, por edhe pas skandalit që rrodhi në media ai nuk e ka marrë mundimin të aplikojë për t'u pajisur me një të tillë.

Megjithatë, dyshimet janë se Ervin Muça e ka shmangur këtë procedurë, ose është lejuar të veprojë kështu, sepse historiku i tij nuk është dhe aq i pastër. Ai është gjetur përgjegjës për dokumente të falsifikuara në Itali dhe Policia e Barit e ka dëbuar nga Italia në vitin 2008.

Besueshmëria e Ervin Muçës dhe hetimi i AMP-së

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmerisë së personit nën hetim Ervin Muça, në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.

Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit Ervin Muçës i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.

Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies.

Personi nën hetim Ervin Muça rezulton se nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese