Një operacion i gjerë policor është zhvilluar gjatë natës në zonën e fshatrave të Lumit të Vlorës, ku shërbimet e policisë kanë ushtruar kontrolle dhe kanë ndërhyrë në disa pika të ndryshme.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë aksionit janë arrestuar disa persona, mes të cilëve edhe një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar katër armë zjarri, si dhe një automjet i blinduar. Deri më tani nuk janë bërë publikë emrat e të arrestuarve dhe as detaje lidhur me veprat penale për të cilat ata dyshohen.
Operacioni është drejtuar nga drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Edvin Ndreu, ndërsa në terren kanë marrë pjesë forca të shumta policie.
Policia e Shtetit pritet të dalë në orët në vijim me një njoftim zyrtar, për të dhënë më shumë detaje mbi operacionin e zhvilluar.
