Bashkia e Himarës ka njoftuar organizimin e një sërë aktivitetesh për hapjen zyrtare të sezonit veror 2025, më datat 2 dhe 3 maj. Zemra e bregdetit jonian do të mirëpresë qytetarë, turistë dhe vizitorë të shumtë përmes një programi festiv që do të shpalosë bukurinë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen karakteristike të zonës.
Gjatë këtyre dy ditëve, qyteti do të gjallërohet nga muzikë live, ekspozita artizanale, panaire ushqimore me produkte lokale dhe aktivitete sportive në plazhet e mrekullueshme të Himarës.
Programi përfshin performanca artistike nga emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare, si Aurela Gaçe dhe Kristos Mastras, si dhe një shfaqje spektakolare me fishekzjarre nga një kompani franceze e njohur për pjesëmarrjen në festivale ndërkombëtare.
Të ardhurat nga aktivitetet do të shkojnë për qëllime bamirësie, përfshirë spitalin e pediatrisë në Tiranë dhe një fondacion në Dropull. Sipas kryebashkiakut Vangjel Tavo, Himara synon të jetë një destinacion turistik gjatë gjithë vitit dhe për këtë po bëhen investime në infrastrukturë për të rritur aksesin në zonat atraktive.
Sezoni i kaluar ishte mjaft i suksesshëm me rreth 350 mijë vizitorë, dhe këtë vit pritet të ketë një rritje të mëtejshme të turistëve falë bashkëpunimit të institucioneve dhe promovimit ndërkombëtar të Himarës si një prej perlat e Mesdheut.