
Gjatë ditës së djeshme u raportua gjerësisht në media online se kompania Starlink Albania me përfitues fundor, Elon Musk, është vendosur në sekuestro nga Administrata Tatimore për shkak të detyrimeve të papaguara.
“Kërkesë për vendosjen e masës së sigurimit tatimor”, ardhur nga Drejtoria e mbledhjes se detyrimeve tatimore te papaguara Rajoni Qendror , Tirane , ku eshte kerkuar: Vendosja e masës së sigurimit tatimor mbi pasuritë e tatimpaguesit “STARLINK ALBANIA” pajisur me NUIS (NIPT) M21705037B , duke moslejuar tjetërsimin mbi pasurinë dhe të drejtat pasurore që i përkasin këtij subjekti,” thuhet në dokumentacionin e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në lidhje me këto raportime, Administrata e Tatimeve ka reaguar për gazetën Tema teksa përgënjeshtron lajmin duke sqaruar se informacioni që ka qarkulluar ditën e djeshme masivisht në media, është i pavërtetë.
Përgënjeshtrimi i Tatimeve për Lajmin mbi Starlink Albania:
"Duke iu pergjigjur interesit te gazetes TemA në lidhje me lajmin e publikuar dje në disa portale, ku pretendohet se kompania Starlink Albania ka detyrime të papaguara, Administrata Tatimore sqaron opinionin publik se ky informacion është i pavërtetë!
Zyrtarisht sqarojmë se, nga verifikimi i bërë në sistemin elektronik tatimor c@ts, Starlink Albania nuk ka asnjë detyrim të papaguar ndaj Administratës Tatimore," thuhet në reagimin e Administratës Tatimore.
Starlink është një kompani që ofron shërbim të shpejtë internetit përmes satelitit, pa patur nevojë për lidhje fizike. Aktualisht kompania është prezente në mbi 70 vende të botës. Në Shqipëri, ajo është prezente përmes Starlink Albania, e cila është themeluar në maj të vitit 2022.