
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka depozituar në Kuvend kërkesën për rritjen e pagës së tyre. Në propozimin e nënshkruar nga kryetari i KPK, Roland Lila, vihet re se është kërkuar rritja e pagës për 6 pozicione.
Në dokumentin e depozituar në Kuvend thuhet qartë që paga e "Sekretarit të Përgjithshëm" është propozuar të rritet nga nga 150 000 lekë në muaj, në 235 000 lekë në muaj. Për pozicionin “Drejtor”, propozimi është që paga të rritet nga 107 000 lekë në muaj në 180 000 lekë në muaj.
Për pozicionin “Përkthyes” propozohet rritja nga 107 000 në 155 000, teksa për "Koordinator për median dhe marrëdhëniet me jashtë" propozohet thuajse dyfishimi i pagës nga 86 500, në 155 000 lekë në muaj. Për pozicionin “Specialist” rritja e propozuar është nga 65 200 lekë në muaj në 80 000 lekë në muaj. Dhe së fundmi propozohet që edhe paga e Këshilltarit pranë Mbledhjes së Komisionerëve dhe Kryetarit të dyfishohet nga 73 500 në 155 000 lekë në muaj.
Në kërkesë thuhet se ky ndryshim nuk sjell asnjë efekt financiar në buxhetin e Komisionit dhe asnjë ndryshim të numrit të përgjithshëm të punonjësve të përhershëm të KPK-së prej 76 vetash.
