Për të pestin vit me radhë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një projekt i cili përmendet nominalisht në Raportin e Progresit të Shqipërisë nga Komisioni Evropian. Në kundërshtim me atë që qeveria shqiptare propagandon, ky projekt përmendet në raport si një problematikë e Shqipërisë drejt rrugës në familjen e Evropiane dhe si një regres në mbrojtjen e natyrës, por jo vetëm.
Në raport KE shprehet se “Ndërtimi i Aeroportit të ri të Vlorës i cili filloi në dhjetor 2021 brenda Zonës së Mbrojtur Pishë Poro-Nartë, vazhdon, pavarësisht kërkesës së Konventës së Bernës në vitin 2023 për ndalimin e punimeve deri sa të kryhet një proçedurë e re dhe e mjaftueshme e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis”.
Bashkimi Evropian evidenton se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës në deltën e lumit Vjosë nuk është vetëm një mungesë në vizionin e ruajtjes së natyrës, por edhe një mungesë e zbatimit të ligjit në Shqipëri për ruajtjen e burimeve natyrore.
Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës filloi në vitin 2021, por punimet vazhduan pa një leje ndërtimi deri në vitin 2023!
Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) evidenton se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës filloi brenda Zonës së Mbrojtur, ndërkohë që ligji shqiptar dhe marrëveshjet ndërkombëtare e ndalonin një gjë të tillë!
Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk u krye në mënyrë të rregullt dhe rezultatet fiktive janë kritikuar në shkallë ndërkombëtare!
Konventa e Bernës i kërkoi autoriteteve Shqiptare ndalimin e punimeve të Aeroportit, por puna në kantier vazhdon! Sipas kushtetutës së Shqipërisë, konventat ndërkombëtare prevalojnë mbi legjislacionin vendas, por autoritetet kanë vendosur të shkelin të gjitha detyrimet ndaj publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar në rrugën për shkatërrimin e Zonave të Mbrojtura!
Pas një muaji qeveria shqiptare do të jetë përsëri në Strasburg në takimin vjetor të Konventës se Bernës. PPNEA i bën thirrje të ndalojë punimet ndërkohë që shkatërrimi në zonë është ende i limituar dhe të përfaqësojë Shqipërinë në Konventën e Bernës si një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare.