Katër persona janë shpallur në kërkim lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Astir ku një e re e mbyllur në banesë alarmoi Policinë e Shtetit.
Burime për mediat bëjnë me dije se katër personat e shpallur në kërkim, përfshirë dhe të dashurin e të resë i identifikuar si Joni Sadikaj, janë nga qyteti i Vlorës dhe rezultojnë me precedentë të mëparshme penale.
Këta shtetas dyshohet se kanë siguruar kokainën me të cilën grupi i të rinjve, pjesë e të cilëve ka qenë edhe Sajma Qordja kanë festuar në apartamentin ku dhe u gjetën shenjat e drogës.
Gjithashtu, gjurmët e të rinjve janë gjetur edhe në armën e zjarrit tip silenciator të cilën policia e gjeti në një nga apartamentet e marra me qira ditore nga partneri i 20-vjeçares.
Po ashtu, është kryer akt ekspertizë gjatë mbrëmjes në trupin e 20-vjeçares por paraprakisht thuhet se nuk ka shenja dhune.
Siç dhe bëmë me dije më herët e reja kishte lidhje me një nga djemtë për të cilin i ati i saj nuk ka qenë dakord. Oficerët dyshojnë se për shkak të gjendjes së saj nën ndikimin e alkoolit dhe drogës të rinjtë duhet ta kenë mbyllur 20-vjeçaren në banesë dhe nuk përjashtohet mundësia që ndaj tyre të ngrihet akuza edhe për heqje të paligjshme të lirisë.
Sipas hetimeve paraprake, bashkuar dhe dëshmisë së Sajma Qordja, të përfshirë në ngjarje kanë qenë në total 6 persona, 3 djem dhe 3 vajza, të cilët prej mbrëmjes së të mërkurës kishin marrë me qira 2 apartamente airbnb në një pallat në Astir.
Këta persona kanë kaluar natën së bashku, ndërsa në mesditë dy vajzat e tjera së bashku me 3 djemtë, kanë zbritur poshtë për të konsumuar një kafe ndërsa Sajma Qordja është lënë në banesë duke fjetur gjumë.
Kur 20 vjeçarja është zgjuar nga gjumi, ajo ka konstatuar se në apartament gjendeshin dy armë dhe një jelek antiplumb dhe në ato momente ka filluar të shfaqë shenja paranoje, si dhe ulërimat e saj janë dëgjuar dhe banorët e tjerë të pallatit.
Ajo ka telefonuar menjëherë prindërit ku i ka shprehur se kërkonte ndihmë pasi ndihej e kërcënuar dhe se ishte marrë peng dhe dhunuar nga disa persona. Sakaq dy vajzat e tjera dhe 3 djemtë që kanë kaluar natën me Sajma Qordjen, janë larguar nga zona sapo kanë marrë vesh që në apartamentet e tyre ka mbërritur policia.