Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara në tarracën e Bashkisë së Tiranës kurorëzuan dashurinë e tyre disavjeçare përmes një ceremonie simbolike fetare. Dy pastorë nga Britania udhëtuan drejt Shqipërisë për të zhvilluar këtë ceremoni, mes dy aktivisteve të komunitetit LGBTQI+.
Në praninë e dy vajzave të tyre 3-vjeçare, Alba dhe Edlira i thanë “po” njëra-tjetrës dhe morën “bekimin” e dy pastorëve. Ky fakt ka sjellë dhe reagime të shumta, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga Institucionet fetare.
Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike të Shqipërisë, ka sqaruar të gjithë besimtarët dhe opinionin publik. Dom Mark Pashkija përmes një deklarate zyrtare thekson se martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.
Sa i përket pastorit i cili “bekoi” këtë martesë, Kisha Katolike thotë se nuk ka lidhje me ta dhe nuk përfaqëson asgjë të tyren.
“Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Deklarata
Sikurse jemi njoftuar nëpërmjet mediave, dje në ambientet e Bashkisë Tiranë, është zhvilluar një ceremoni në dukje “martesore” mes personave të së njëjtës gjini.
Në lidhje me këtë gjë Kisha katolike në Shqipëri dëshiron të sqarojë të gjithë besimtarët dhe mbarë opinionin publik që:
a) Bazuar në Doktrinën, Traditën dhe Magjisterin e Kishës, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.
b) Lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë.
c) Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën.
Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj, të veshura me fustan nusërie kurorëzuan në një ceremoni simbolike dashurinë e tyre. Ceremonia u zhvillua pasditen e 19 majit në tarracën e Bashkisë së Tiranës dhe të pranishme ishin edhe dy vajzat binjake, të cilat erdhën në jetë me metodën invitro tre vite më parë.
Megjithëse ligji shqiptar nuk lejon martesat të së njëjtës gjini, 2 partneret Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj dorëzuan në gjendje civile kërkesën për t’u celebruar në martesë, pas 14 vitesh të dashuruara.
Pavarësisht se Kodi i Familjes në Shqipëri nuk e njeh ende martesën brenda të njëjtës gjini, vajzat dorëzuan në gjendje civile kërkesën për t’u celebruar në martesë, pas 14 vitesh të dashuruara. Alba tha se deri më tani nuk kanë një përgjigje nga gjendja Civile, mirëpo e dinë që ajo do të jetë “negative”.
Dy gratë janë sot përfaqësuese të zëshme të kauzës së komunitetit LGBTQI+ në Shqipëri. Ato më herët kanë treguar se gjatë gjithë rrugëtimit të tyre janë hasur me lloj-lloj vështirësish, madje nuk kanë munguar as kërcënimet.
Tre vite më parë në jetë erdhën dhe dy vajzat e tyre binjake, për të cilat po “luftojnë” t’i regjistrojnë me dy nëna. Por, për shkak se Gjykata shqiptare nuk i njeh një të drejtë të tillë, mëmësia është vetëm e Edlirës.
“Nuk e dimë se sa do të zgjasë, por nuk do ta lëmë me kaq. Vajzat i kemi regjistruar në emër të Edës. Ne e dimë që gjendja civile nuk ka faj, por çështja është se politikanët po ndryshojnë ligje disa herë për interesa të ndryshme. Përse të mos ndryshohen për ne”, ka thënë Alba më herët.