Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith është duke zhvilluar takimet e lamtumirës për shkak se misionit të tij diplomatik në vendin tonë i ka ardhur fundi. Ai është takuar dhe me sipërmarrësit e suksesshëm të Dhomës Britanike të Tregtisë.
Selia diplomatike në Tiranë ka ndarë pamjet nga takimi i kryetarit Klodian Allajbeu dhe biznesmenëve pjesë e Dhomës së Tregtisë, me ambasadorin King Smith, në rezidencën e këtij të fundit në kryeqytet, përcjell newsbomb.al.
Alastair King-Smith ka zgjedhur t'i takojë vetë anëtarët e kësaj dhome për t'ju shprehur vlerësimet më të larta, për rolin që ata luajnë në rritjen e frymës së bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare mes bizneseve britanike dhe atyre shqiptare.
"Ambasadori britanik, Alastair King-Smith zhvilloi takimin e tij të lamtumirës me Dhomën Britanike të Tregtisë në Shqipëri në Rezidencën e tij. Ndikimi i Dhomës Britanike është një nga arritjet tona më të mira, duke u shndërruar me shpejtësi në një urë dinamike mes bizneseve britanike dhe shqiptare dhe duke mbështetur iniciativat që ofrojnë aftësim dhe punë për të rinjtë.
Dhoma do të jetë përçuese e qasjes së re së Mbretërisë së Bashkuar për rritjen ekonomike duke nxitur investimet dhe duke krijuar prosperitet si në Shqipëri ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar", thuhet në njoftimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri, teksa nuk mungojnë dhe pamjet nga pritja në rezidencën e ambasadorit King Smith.
Dhoma Britanike e Tregtisë është hapur pak më shumë se një vit më parë dhe në krye të saj është zgjedhur sipërmarrësi i rrjetit të spitaleve "Amerikan", Klodian Allajbeu. Marrëveshja është dakordësuar në Londër, në takimin që kryeministri Rama ka zhvilluar në "Downing Street" me homologun Rishi Sunak në mars 2023.
Menjëherë më pas nisi puna për Dhomën e re të Tregtisë, me synimin e qartë për t'i dhënë një impuls të ri bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe atyre britanike. Zgjedhja e sipërmarrësit Klodian Allajbeu si kryetar i saj, ishte një garanci më tepër dhe në fakt ashtu ndodhi, shkruan newsbomb.al.
Gazsjellësi Trans-Adriatik TAP, Vodafone Albania, The British Petroleum - një kompani britanike e naftës dhe gazit me seli në Londër, TLScontact, kompania që menaxhon shërbimin e vizave në emër të qeverisë britanike dhe British School of Tirana, një institucion arsimor cilësor, ishin të parat që ju bashkuan, kurse sot një vit më pas bizneset anëtare janë me dhjetëra.
Në takimin që ka zhvilluar ambasadori Alastair King-Smith me sipërmarrësit e Dhomës Britanike të Tregtisë dhe vetë kryetarin Klodian Allajbeu, ka shprehur vlerësimet më të larta, duke e cilësuar dhomën si "një nga arritjet tona më të mira".
Edhe vetë selia diplomatike, Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, ka zgjedhur që t'i japë një hapësirë të veçantë takimit të lamtumirës së ambasadorit me anëtarët dhe kryetarin e Dhomës Britanike të Tregtisë, pavarësisht se në mbyllje të misionit Alastair King-Smith ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësues nga më të ndryshmit.
Rëndësinë që ka kjo dhomë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe vlerësimet më të larta që ambasadori nuk i ka kursyer për Klodian Allajbeun si drejtues e të gjithë sipërmarrësit anëtarë të saj, tregojnë shumë për ecurinë dhe punën e mirë që ka bërë ky institucion në nxitjen e bashkëpunimit të frytshëm mes bizneseve shqiptare e britanike.
Dhoma Britanike e Tregtisë që në krijimin e saj ka marrë bekimin e Asociacionit të Dhomave të Tregtisë, në Ministrinë e Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar.
© Newsbomb.al