Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kërkuan masë më të zbutur sigurie, Gjykata e Lartë rrëzon Erzen Breçanin dhe Dedan Gjonin

Shkruar nga Newsbomb
Kërkuan masë më të zbutur sigurie, Gjykata e Lartë
Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani DHE ish-shefi i Komisariatit nr.6, Dedan Gjoni

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e 4 të pandehurve, Erzen Breçani, Dedan Gjoni, Bujar Ajeti (Gremizi) dhe Besmir Muratit, të bërë më herët në këtë organ për ndryshim të masës së sigurisë të dhënë nga GJKKO-ja.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se kërkesa e tyre nuk është pranuar, pasi është lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të dhënë në datën 4 janar të këtij viti, i cili kishte vendosur për të pandehurit masën e sigurisë “arrest me burg”.

Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personat nën hetim Bujar Ajeti (Gremizi), Erzeni Breçani, Dedan Gjoni dhe Besmir Murtati, kundër vendimit nr. 87-2024-4 (01), datë 04.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”,- thuhet në vendimin e Gjykates se Lartë.

Kujtojmë se në kuadër të operacionit “Metamorfoza 2” të zhvilluar nga SPAK, në nëntor të vitit të shkuar, në prangat e policisë ranë disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Duke u nisur nga hetimet e SKY ECC, policia zbuloi se ky grup kriminal operonte në trafikimin e drogës nga Amerika Latine drejt Europës, si dhe dyshohej se ato ishin të përfshirë në disa ngjarje kriminale të ndodhura më herët në Shqipëri.

Anëtarët e dyshuar kryesorë, të cilët u arrestuan në këtë operacion ishin ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ish-shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni, Bujar Ajeti (Germizi), një emër i njohur i botës së krimit me origjinë nga Kukësi, si dhe Besmir Murati.

Mbi ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani rëndon akuza e pastrimit të parave me HEC-et e ndërtuara në Valbonë, që vinin nga veprimtari kriminale, ajo e trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërkohë, ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni akuzohet se ka ndihmuar Rexhep Rapin i njohur ndryshe si “Kep Rrapi” për të vrarë Xhevdet Plakun (Akilin), vrasje e cila nuk u arrit që të realizohej nga autorët.

Erzen Breçani bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë u arrestua mbrëmjen e 20 nentorit 2023.

Bujar Ajeti (Germizi), një emër i njohur i botës së krimit në Kukës, në bashkëpunim me shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe Besmir Murati dyshohet se tentuan të vrisnin dy vëllezër që jetonin në Britaninë e Madhe, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Ndërkohë, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, së cilës i është dhënë masa detyrim paraqitjeje, mësohet se gjatë kohës që punonte në Interpol u ka dhënë informacion nga sistemi për 2 vëllezërit që jetonin në Britani.

“Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale”- thuhej më herët në njoftimin e SPAK.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese