
Një person është arrestuar në flagrancë në qytetin e Krujës, ndërsa shpallet në kërkim tjetri.
Në kuadër të operacionit të koduar policor “Prevention”, kanë bërë të mundur parandalimin e një varsjeje.
Sipas njoftimit të policisë ngjarja ka ndodhur në fshatin Bubq, 19-vjeçari me iniciale F.M dhe vëllai i tij 17 vjeç i shpallur në kërkim, kanë kërcënuar me armë zjarri kallashnikov xhaxhain e tyre.
Gjithashtu, mësohet se kërcënimin ndaj xhaxhait të tyre ata e kanë bërë, pasi ky i fundit kishte bërë një denoncim ndaj tyre për mashtrim.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur për kanosjen. Ndër të tjera, dyshohet se dy vëllezërit kanë kanosur dhe babanë e tyre.
Ndërsa, policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e 17-vjeçarit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Kanosën me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, që të tërhiqte kallëzimin e bërë për ta, vihet në pranga 19-vjeçari, shpallet në kërkim vëllai i tij.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bubq, dy shtetas kishin kanosur me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, kanë organizuar menjeherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, është kapur dhe arrestuar shtetasi F. M., 19 vjeç. Gjithashtu, u shpall në kërkim vëllai i tij 17 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas kanë kanosur me armë zjarri, xhaxhanë e tyre, që të tërhiqte kallëzimin e bërë për ta, për mashtrim. Gjithashtu, dyshohet se dy vëllezërit kanë kanosur dhe babanë e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur për kanosjen.
Vijon puna për kapjen e 17-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
