Policia e Shkodrës ka reaguar në lidhje me një deklaratë të bërë ditën e sotme nga avokati Arben Llangozi në një emision televiziv. Llangozi tha se ditën e sotme janë arrestuar 4 pedagogë në Universitetin e Shkodrës kjo pasi kanë shpërdoruar detyrën përmes korrupsionit, duke marrë ryshfet nga studentët.
Jo vetëm kaq, avokati akuzoi Policinë e Shkodrës se po e fsheh ketë ngjarje.
Por policia i ka hedhur poshtë këto pretendime të avokatit ku sqaron se asnjë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato në varësi të saj, gjatë ditës së sotme nuk kanë kryer veprime procedurale për arrestimin e këtyre pedagogëve.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një lajm të pubikuar në rrjetet sociale, ku thuhet se Policia e Shkodrës ka fshehur arrestimin për korrupsion të 4 pedagogëve në Universitetin e Shkodrës, sqarojmë opinionin publik se:
Asnjë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato në varësi të saj, gjatë ditës së sotme (26 prill 2024) nuk kanë kryer veprime procedurale për arrestimin e tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër është e angazhuar për të qenë transparente me median dhe publikun.
Çfarë deklaroi avokati Arben Llangozi
“Jo më larg se sot janë arrestuar katër pedagogë në Universitetin e Shkodrës për korrupsion, asnjë media nuk flet. Pse? Sepse policia së bashku me prokurorinë kanë mbuluar ngjarjen. Janë të arrestuar që në mëngjes, janë kapur flagrancë edhe nuk janë publikuar emrat. Kanë marrë ryshfet nga studentët për provimet. Unë e kam informacion të brendshëm, kanë ndryshuar dhe prokurorin dhe e mbajnë sekret.”
Ditën e sotme ka reaguar edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ku njësoj si policia mohon të ketë ndodhur një ngjarje e tille dhe shprehet se nuk ka asnjë dokument zyrtar që provon se ka të arrestuar.
“Nga të dhënat që disponojmë nuk ka asnjë dokument zyrtar që të provojë se është ndërmarrë procedurë arrestimi ndaj ndonjë pedagogu të USH-së”, shkruan Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.