Agjentët e Policisë Kombëtare dhe të Mbikëqyrjes Doganore sekuestruan këtë të mërkurë mbi 1000 kilogramë kokainë në një konteinier që kishte mbërritur në Portin e Vigos. Sipas mediave të huaja mësohet se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 9 persona, me kombësi belge dhe shqiptare.
Operacioni është zhvilluar të mërkurën dhe droga është sekuestruar nga anija “Cape Citius” , e cila lundronte me flamurin e Qipros dhe vinte nga Amerika e Jugut.
Anija mbërriti herët në mëngjes dhe agjentët zbuluan drogën në një nga kontejnerët e frutave. Të njëjtat burime saktësojnë se ky operacion lidhet edhe me depozitën e fundit prej 1.2 ton kokainë të kapur në Guayaquil të Ekuadorit në fund të dhjetorit. Droga ishte e fshehur në konservat e peshkut dhe kishte destinacion edhe Portin e Vigos.
Sakaq, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska. Nga ceremonia e inagurimit të selisë së re të Qendrës së Bashkëpunimit Policor dhe Doganor (CCPA) në Tui (Pontevedra), deklaroi se ka pasur një “operacion të rëndësishëm antidrogë e cila po ndiqet penalisht”.
"Le të vazhdojnë zhvillimin e hetimit dhe të përfundojnë operacionin. Ajo që e bën shumë të qartë është, në të vërtetë, profesionalizmi dhe kapaciteti i forcave dhe organeve tona të sigurisë për t'u përballur me një problem siç janë organizatat kriminale dhe në këtë rast, ato të përkushtuara ndaj trafikut të drogës”, theksoi ai.