Ambasada Britanike ka uruar kreun e SPAK, Altin Dumani për shpalljen Kampion i Antikorrupsionit për vitin 2024.
Ambasada shkruan se Altin Dumani ka drejtuar me integritet dhe përkushtim institucionin e drejtësisë SPAK duke i shërbyer kështu shtetit ligjor. Ndër të tjera në postim thuhet se Dumani ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, çështje kjo thelbësore për reformën në drejtësi si dhe për garantimin e sigurisë për qytetarët e vendit.
Ambasada britanike rikthekson dhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme për SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
“Ambasada Britanike në Tiranë uron Altin Dumanin, kreun e SPAK, për njohjen si Kampion Kundër Korrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ky çmim prestigjioz nxjerr në pah përpjekjet e jashtëzakonshme të Z. Dumani në drejtimin e punës së SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar – kjo është thelbësore për progresin e reformave të Shqipërisë dhe për të siguruar besimin e qytetarëve të saj.
Nën drejtimin e Z. Dumani, SPAK ka vepruar me integritet, përgjegjshmëri dhe në interes të shtetit ligjor. Përkushtimi i tij ka mbështetur SPAK-un për të ofruar një performancë të qëndrueshme dhe të suksesshme në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të fuqishme kriminale.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbetet e vendosur për të mbështetur SPAK-un dhe reformat në drejtësi të Shqipërisë. Nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, ne do të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, të luftojmë krimin e organizuar dhe të forcojmë sundimin e ligjit," shkruan Ambasada Britanike.