
Shqetësime serioze janë ngritur lidhur me mirëfunksionimin e Kampit të Gjadrit në Shëngjin të ngritur pas marrëveshjes së nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm të shpëtuar në ujërat e Mesdheut, e së fundmi një qendër strehimi për të emigrantët e parregullt dhe problematikë të kapur në Itali.
Deputetja e Partisë Demokratike të Italisë, Rachele Scarpa në një intervistë për “Euronews Albania”, ka ndarë shifra alarmate lidhur me numrin e tentativave për vetëvrasje si dhe ka deklaruar për ngjarje të rënda të ndodhura brenda në kamp duke e cilësuar potencialisht të rrezikshëm për jetën e personave të strehuar në ato ambiente.
Rachele Scarpa është shprehur se në një periudhë të shkurtër, janë regjistruar 35 tentativa për vetëvrasje e vetëplagosje, ndërsa 16 prej emigrantëve të sjellë nga Italia janë kthyer përsëri mbrapsht pasi u konsideruan në rrezik për jetën dhe të papërshtatshëm për të qëndruar në qendrën e Gjadrit.
“16 persona janë kthyer tashmë në Itali, pasi u konsideruan në rrezik për jetën dhe të papërshtatshëm për të qëndruar në qendrën e Gjadrit,” tha ajo.
Ndërkohë kujtojmë një ngjarje të ndodhur disa javë më parë në Kampin e Gjadrit ku emigrantët e strehuar në qendër shkatërruan të gjithë ambientin duke çuar në kaos total, ndërsa 3 prej tyre lënduan veten e tyre me mjete prerëse.