
25-vjeçari Romario Brunga është gjetur i pajetë mbrëmjen e djeshme në automjetin e tij në Balldren ndërsa e gjithë ngjarja vijon të mbetet një mister.
Autoritetet kanë zbërthyer telefonin e të riut teksa nga komunikimi i fundit me të cilin ai ka patur me një shokun e tij, janë shtuar dyshimet për një vetëvrasje. Nga zbardhja e telefonatës 25-vjeçari ka telefonuar shokun e tij të ngushtë, të cilit i ka thënë se “kam një hall shumë të madh”.
Më pas miku i tij e ka telefonuar disa herë, por Romario Brunga nuk i është përgjigjur. Kjo telefonatë ka nxitur dyshimet e policisë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje, por nga pozicioni i plumbit në ballin e viktimës, nuk mund të jetë shtënë nga vetë personi.
Gjithashtu në duart e viktimës janë gjetur të gërvishtura si dhe i janë konstatuar mbetje baruti.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë viktima është parë i vetëm që nga momenti që ka dalë nga ambientet e punës ku punonte si kamarier, deri tek automjeti i tij. 25-vjeçari ka qenë gjatë gjithë kohës duke folur në telefon.
Në pyetje janë marrë dhe familjarët e 25-vjeçarit, të cilët kanë deklaruar se i riu nuk ka shfaqur ndonjëherë shenja depresioni apo të ketë patur ndonjë problem.