Forcat speciale të RENEA-s kanë ndërhyrë sot në një apartament në zonën e Astirit, ku ishte ngujuar një vajzë 21-vjeçare. Sipas gazetarit Merin Maçi, i cili foli në emisionin “Opinion” në Tv Klan, vajza ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe pas disa orësh ka dhënë dëshminë e saj.
Sipas dëshmisë, 21-vjeçarja ka kaluar natën e kaluar në shoqërinë e pesë personave, dy vajzave dhe tre djemve. Dy vajzat janë tashmë të shoqëruara nga policia, ndërsa djemtë janë shpallur në kërkim. Vajza pretendon se nuk i kujton të gjithë personat, përveç dy vajzave të identifikuara. Ajo ka deklaruar gjithashtu se personat në fjalë ishin të armatosur dhe ajo ndjehej e rrezikuar.
“Ka rrëfyer se në banesë prej mbrëmjes së djeshme ka qenë nën shoqërinë e 5 personave të tjerë, dy vajzave dhe tre djemve. Nuk ka arritur t’i identifikojë të gjithë duke u shprehur se nuk i kujton personat në fjalë, vetëm dy vajzat ka identifikuar. Të paktën nga informacionet që unë kam ato pak minuta më parë janë shoqëruar nga policia, ndërkohë për tre djemtë është shprehur se mund t’i identifikojë në momentin që mund t’i shohë.
Ajo pretendon se nuk është dhunuar, por kujton se kanë qenë me armë personat në fjalë dhe ka qenë e rrezikuar gjatë gjithë kohës që qëndronte me ta. Këto deklarime janë vërtetuar edhe me verifikimet që janë bërë me pamjet filmike dhe personat janë identifikuar tashmë dhe po kërkohen për t’u shoqëruar”, u shpreh Maçi.
Policia po heton nëse vajza ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike apo nëse ka pësuar ndonjë abuzim gjatë kohës që qëndroi në banesë me të dyshuarit. Ndërkohë, kërkimet për tre djemtë e përfshirë vazhdojnë.