
Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme një video u bë virale në rrjet ku sipas asaj që JOQ raportonte referuar dhe denoncimit të një qytetari, disa të rinj kishin dhunuar dhe më pas e kishin futur me forcë në makinë një tjetër të ri.
Fillimisht u raportua si një rrëmbim në kryeqytet, por e vërteta është krejt tjetër. Është dashur ndërhyrja e Policisë së Shtetit për verifikimin dhe sqarimin e kësaj ngjarje, e cila nga një rrëmbim që u tha në fillim, rezultoi të ishte një festë familjare ku dhe ishte tepëruar me konsumimin e alkoolit.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë e shtetit bëjnë me dije se menjëherë pas publikimit të kësaj video, efektivët e Komisariatit të Policisë nr.3 nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Gjatë veprimeve hetimore u identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Komisariatit, pesë shtetas, mes tyre edhe roja i subjektit privat në afërsi të të cilit ndodheshin ata.
Nga deklarimet e këtyre shtetasve, këqyrja e imtësishme e pamjeve filmike, rezultoi se ata ishin familjarë me njëri-tjetrin, dhe gjatë kohës që kanë qenë një gëzim familjar ata kanë konsumuar alkool dhe kur kanë shkuar për të marrë automjetin e parkuar, kanë komunikuar me njëri-tjetrin, me zë të lartë.
“Asnjëri prej tyre nuk ka pretendime për konflikt apo dëme të tjera. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik të rastit”, thekson Policia.
*Video e postuar ditën e djeshme nga JOQ
View this post on Instagram
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në lidhje me një video të postuar mbrëmë, në portalin “JOQ”, me mbishkrimin se në afërsi të një subjekti privat në rrugën “Gjergj Legisi”, disa shtetas po dhunonin dhe merrnin me forcë në automjet, një shtetas, sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Gjatë veprimeve hetimore u identifikuan dhe u shoqëruan në ambientet e komisariatit, 5 shtetas, ndërmjet tyre dhe roja i subjektit privat në afërsi të të cilit ishin ata.
Nga deklarimet e këtyre shtetasve, këqyrja e imtësishme e pamjeve filmike dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, të afërm të njëri-tjetrit, gjatë kohës që kanë qenë në një rast familjar, kanë konsumuar alkool, dhe kur kanë shkuar për të marrë automjetin e parkuar, kanë komunikuar me njëri-tjetrin, me zë të lartë. Asnjëri prej tyre nuk ka pretendime për konflikt apo dëme të tjera. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.