Hapësire reklamuese

Aktualitet

Jeton Lami shkon në Gjykatën e Lartë, ish-agjenti i Operacionales që pa i fundit Ervis Martinaj

Shkruar nga Newsbomb
Jeton Lami shkon në Gjykatën e Lartë, ish-agjenti i Operacionales
Ilustrim: Ervis Martinaj dhe Jeton Lami

Ish-agjenti i Forcës së Posaçme Operacionale dhe njëherësh miku i biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, Jeton Lami ka përfunduar në Gjykatën e Lartë. Prokuroria e Lezhës ka bërë rekurs dhe nuk ka pranuar vendimin për dënimin me 2 vite e 10 muaj burg.

Jeton Lami shoqëronte biznesmenin Ervis Martinaj gjatë kohës që ishte në detyrë si agjent i Operacionales, duke bërë që i shumëkërkuari i drejtësisë t'i shmangej armiqve dhe kontrolleve që bëheshin për lokalizimin e tij.

Çështja është hedhur në short dhe do të gjykohet nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.

Ai është shpallur fajor pasi u akuzua se kishte shpërdoruar detyrën, sepse në vend që t'i hidhte prangat Ervis Martinaj, ishte bërë shofer dhe truproja e tij. Në fakt, edhe vetë Jeton Lami ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe kërkon pafajësi për këtë vepër penale.

Ai pretendon se nuk ishte në dijeni që Ervis Martinaj ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi faktin e dinin vetëm eprorët por jo ai dhe agjentët e tjerë të Forcës Operacionale.

Jeton Lami rezulton se është personi i fundit që ka parë Ervis Martinaj, pasi e ka marrë me makinën Audi A8 dhe e ka dërguar në një hotel në Durrës, bashkë me të dashurën e tij. Pamjet e kamerave të sigurisë të datës 7 Gusht 2022 dhe të dytëve më pas, 9 Gusht janë të vetmet ku shfaqet personazhi i cilësuar si "mbreti i kumarit".

Prej datës 10 Gusht 2022, Ervis Martinaj rezulton i zhdukur pa gjurmë dhe për këtë fakt, familja ka bërë në të njëjtën datë kallëzim në Policinë e Lezhës. Ishin vetë ata që gjetën pamjet e kamerave të sigurisë ditë më pas, duke i dorëzuar pranë autoriteteve dhe aty u identifikua dhe Jeton Lami.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese