Hapësire reklamuese

Aktualitet

James Doshi përplasi gruan e biznesmenit Viktor Jushi, pronar i Hotel Gjuetisë në Ishull-Lezhë

Shkruar nga Newsbomb
James Doshi përplasi gruan e biznesmenit Viktor Jushi, pronar i Hotel
Tom Doshi, Hoteli i Ghuetise dhe Viktor Jushi

Lizë Jushi, gruaja e biznesmenit mirditor Viktor Jushi, ka mbetur e plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor që ka ndodhur një muaj më parë në aksin rrugor “Lezhë-Milot”. 55 vjeçarja ka marrë dëmtime trupore nga aksidenti, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, shkruan newsbomb.al.

Gruaja e pronarit të Hotelit të Gjuetisë ishte duke drejtuar mjetin tip Mercedes Benz kur është përplasur nga një mjet tip "Lexus" që lëvizte me shpejtësi të madhe në këtë aks, i cili drejtohej nga shtetasi James Doshi. 

Lizë Jushi është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, ndërsa grupi hetimor i mbërritur në vendin e ngjarjes nisi punën për përcaktimin e shkaqeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive. Ose më saktë kështu duhet të kishte ndodhur. Kështu, mendoi Liza se do të ndodhte.

Pushteti i madh i politikanit të majtë Tom Doshi ka bërë që djali i tij t'ia hedhë pa u lagur. Ndoshta përmendja e emrit të babait dhe disa telefonata, kanë bërë që nënkomisari Ismet Sula të mos sekuestronte mjetin "Lexus" me të cilin lëvizte James Doshi, por t'ia linte këtij të fundit në ruajtje.

Lizë Jushi, gruaja e biznesmenit Viktor Jushi

55 vjeçarja që u aksidentua teksa ndodhej në korsinë e saj, është bashkëshortja e biznesmenit të njohur mirditor Viktor Jushi. Familja drejton prej vitesh Hotelin e Gjuetisë në Ishull-Lezhë, një objekt me vlera të veçanta historike dhe i ndërtuar në vitit 1936, i cili është kthyer në një prej bizneseve më të frekuentuara në veri.

Hoteli u ndërtua 88 vite më parë nga italianët për promovimin e turizmit të të apasionuarve pas gjuetisë, ndërsa gjatë regjimit komunist vizitohej nga qeveritarë të kohës të cilët gjuanin shpendë dhe kafshë të egra në lagunën e Kune Vainit, shkruan newsbomb.al.

Prej vitesh tashmë, Viktor Jushi dhe familja e tij e kanë rikonstruktuar gati plotësisht Hotelin e Gjuetisë duke e rikthyer në një biznes me aktivitet në të gjithë muajt e vitit, sidomos shumë të preferuar nga çiftet për kurorëzimin e martesës.

Biznesmeni mirditor dhe pronari i kompanisë së përpunimit të gurit vuri në dispozicion gjithë mjeshtërinë e tij për të rinovuar biznesin, të cilin sot e ka kthyer në ndër më të suksesshmit në zonën e Lezhës.

Viktor Jushi është pronar i "ARPEG Stone art & crafts", një kompani që nisi punë në vitin 1996 si punishte artizanale e përpunimit të gurit dhe mermerit në fshatin Tresh të Lezhës dhe sot është një kompani e mirëfilltë e vendosur në Pllanë. Zë një sipërfaqe më shumë se 6 hektarë dhe ka shpërndarje të prodhimit brenda e jashtë vendit.

Sqarimi i Policisë së Shtetit dhe hetimi i Prokurorisë së Lezhës

Policia e Shtetit në një komunikatë sqaruese për rastin, sot më 23 Prill, bëri me dije se James Doshi akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Lezhës nga vetë nënkomisari Ismet Sula.

Megjithatë, organi i akuzës nuk është mjaftuar vetëm me materialet proceduriale që ka dërguar Oficerit i Policisë Gjyqësore Nënkomisar Ismet Sula, me detyrë specialist/OPGJ në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Lezhë, por ka kryer dhe hetime shtesë në zbatim të detyrave të veta.

Më datë 15 Prill 2024, një muaj pas aksidentit në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, Prokuroria e Lezhës ka dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë urdhrin e ekzekutimit të vendimit penal të  Gjykatës së Lezhës, për caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të detyrës”, ndaj punonjësit të Policisë Ismet Sula, shkruan newsbomb.al.

Nënkomisari dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasin James Doshi, duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje. Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të prokurorit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit Ismet Sula dhe ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë të disiplinës.

Hetimet janë shtrirë në të gjithë Drejtorinë e Policisë së Lezhës, për të verifikuar se cilët janë drejtuesit që kanë urdhëruar të mos kryhen procedurat standarde në një vendngjarje dhe për të marrë përgjegjësi penale, nëse do të ketë.

Gjithashtu, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike të efektivëve të Komisariatit të Policisë Rrugore, për të zbardhur rolin e secilit prej tyre në këtë aksident dhe cili nga eprorët i ka urdhëruar të mos bënin detyrën dhe të ngarkimin me përgjegjësi djalin e Tom Doshit.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese