
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 21 vite burg për Izet Haxhinë, për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në vitin 1998.
Në dhomë këshillimi gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici kanë rrëzuar rekursin e Izet Haxhisë i cili kërkonte prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues për shkelje të rënda të rregullave proceduriale të gjykimit ose në alternativë deklarimin e pafajshëm.
Kujtojmë se gjykata e Tiranës dënoi me 11 shkurt 2022, me 21 vite burg Izet Haxhinë, ish-truprojë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai u shpall fajtor për vrasjen e pishtarit të demokracisë Azem Hajdari, më 12 shtator 1998.
Ish-truproja e Sali Berishës pretendon se është i pafajshëm dhe për këtë arsye kërkoi ndryshimin e vendimit.
Edhe më parë, Izet Haxhia është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit, por ai nuk e ka pranuar akuzën dhe kërkoi rigjykim me pretendimin se zotëronte prova të reja. Pas ekstradimit nga Turqia, Izet Haxhia fitoi të drejtën e rigjykimit sepse ishte dënuar në mungesë.