Hapësire reklamuese

Aktualitet

Italia e kërkon për trafik droge, GJKKO lë në qeli kreun e klanit “Farruku”

Shkruar nga Newsbomb
Italia e kërkon për trafik droge, GJKKO lë në qeli kreun e
Kreshnik Farruku

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në qeli Kreshnik Farrukun.

Gjatë seancës së kësaj të enjte GJKKO ka lënë në fuqi kërkesën “arrest me burg” të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj kreut të klanit “Farruku”.

Në fjalën e tij para togave të zeza, Farruku tha se nuk është ai personi që organet e akuzës pretendojnë në lidhje me përgjimet e dala nga platforma e SKY ECC.

“Nuk jam unë ai që pretendoni”, tha Farruku në seancën gjyqësore në GJKKO

Në qeli është lënë edhe Julian Kollçaku si dhe Maksim Ndoci.  Këta dy të fundit u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar me kërkesë të autoriteteve italiane, ndërsa këtë të hënë u njohën me një masë të dytë sigurie.

Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit “Farruku” u arrestua mbrëmjen e 11 janarit 2025 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Farruku u arrestua në Manzë të Durrësit me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. Për arrestimin e këtij shtetasi mbi të cilin ishte në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie” e dhënë nga Gjykata e Durrësit u desh ndërhyrja e Forcave RENEA.

GJKKO ka firmosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, teksa ditë më parë ai u vetëdorëzua dhe gjendej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, dhënë nga Gjykata e Durrësit. Gjatë seancës së zhvilluar më 7 janar 2025, Gjykata e Durrësit mori në shqyrtim kërkesën për arrestimin e përkohshëm të vëllezërve Farruku, Kreshnik dhe Erneo Farruku, pasi Gjykata e Brescia me vendimin Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, caktoi ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizata kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.

Ndaj 51-vjeçarit i cili njihet edhe si Kreshnik Budlla rëndojnë akuzat “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Sakaq, ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar doli me një njoftim zyrtar lidhur me “goditjen” e një prej grupeve kriminale i cili kishte shtrirë aktivitetin e drogës në shtetin fqinj, Itali.

SPAK bëri me dije se gjatë hetimeve është bërë i mundur identifikimi i personave të përfshirë në trafikun e drogës.

Kreshnik Farruku (Kreshnik Budlla) rezulton të jetë “koka” që i merrej me furnizimin me shumicë droge të tregjeve italiane. Ai merrej me merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian.

Sasia e lëndës narkotike vinte me kontejnerë nga Amerika Latine në portet italiane (Livorno, Genova dhe Savona). Ky grup kryente veprimtarinë e nxjerrjes së drogës dhe shpërndarjes së saj, ndërsa ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike, nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale si dhe për t’ia vënë në dispozicion grupeve kriminale.

Një rast konkret përfshin sekuestrimin e një sasie prej 10.522 kilogramësh kokainë, e paketuar në 9 pako plastmasi të fshehura në një hapësirë të një mjeti, Ford Fiesta, më 27 janar 2021 në Autostradën Guardamiglio (LO), Itali.

Në këtë operacion u arrestuan shtetasit shqiptarë E.K. dhe M.K. Komunikimet Kreshnik Farrukut (Kreshnik Budllës) dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit të arrestuar në Itali kanë provuar rolin e tij organizativ në këtë rrjet kriminal.

"Nga veprimtaria hetimore e kryer në Shqipëri, është bërë identifikimi i shtetasit, K.B, anëtar i grupit të struktuar kriminal, i paidentifikuar nga autoritetet italiane, i cili merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian.

Konkretisht, ai është organizatori i furnizimit të lëndës narkotike, e sekuestruar më 27 janar 2021 në Autostradën Guardamiglio (LO), Itali, ku janë arrestuar shtetasit shqiptare;E.K. dhe M.K., të cilëve iu gjet një sasi e lëndës narkotike të llojit kokainë, me një peshë totale bruto prej 10.522 kg, e paketuar në 9 pako plastmasi të fshehura në një hapësirë të një mjeti, Ford Fiesta. Përveç këtij sekuestrimi, ekzistojnë elementë të shumtë të komunikimeve të të arrestuarit K.B, me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, (tashmë të arrestuar në Itali), duke provuar rolin e tij brenda grupit të strukturuar kriminal", thuhej në njoftimin e SPAK.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese